Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, ka mbajtur të hënen takimin e parë të Task Forcës për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve në Kosovë.
Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të pyjeve në Kosovë, Ministri Faton Peci theksoi rëndësinë e adresimit të problematikave me të cilat përballet ky sektor, pasur parasysh së pyjet përbëjnë rreth 44% të territorit të Republikës së Kosovës.
Pyjet e Republikës së Kosovës përveç se duhen mbrojtur nga prerjet ilegale, duhet edhe që të shfrytëzohen në mënyrë të qëndrueshme, për ta rritur potencialin e tyre për zhvillim ekonomik të vendit, vazhdoi tutje Ministri Peci.
“Me mbështetjen e FAO-s është drejtë finalizimit Strategjia për Pyje 2021 – 2030 ndërsa plotësim-ndryshimi i Ligjit për Pyje është në proces. Qëllimi kryesor i kësaj Task Force është unifikimi dhe koordinimi ndër-institucional i veprimeve për eliminimin e aktiviteteve të paligjshme në sektorin pyjor si dhe të arrihet një konsensus mes palëve të përfshira në këtë Task Forcë, që përmes bashkë-veprimit t’i kthehet vëmendja e merituar këtij sektori e njëherit të mbrohen këto resurse kombëtare”, theksoi ai.
Nga ana tjetër Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, tha se dikasteri që ai udhëheq është i gatshëm që të kontribuojë në krijimin e mundësive për menaxhimin më të mirë të pyjeve në Kosovë.
Tutje ai theksoi mungesën e profesionistëve të fushës si dhe me shpalljen e parqeve nacionale, këto profesionistë edhe pse të paktë në numër mbesin nën udhëheqjen e Agjencisë Pyjore të Kosovës, ku kjo e fundit nuk ka qasje në parqe nacionale.
Ai bëri thirrje tek Institucionet e rendit dhe drejtësisë për një koordinim më të mirë drejt gjetjes së mekanizmave të duhura për mbrojtjen e pyjeve nga shkaktuesit e dëmeve e që këto të fundit nuk janë të pakta, sidomos në zonën e maleve të Sharrit.
Përfaqësuesi i FAO-së Ekrem Yazici vlerësoi lartë vlerën dhe rëndësinë e biodiversitetit të pyjeve të Kosovës mirëpo theksoi edhe se ka akoma çështje, të cilat duhen adresuar e të cilat janë të rëndësishme për sektorin siç është është industria e përpunimit të drurit, mbrojtja e mjedisit, turizmi e të tjera.Ai tutje theksoi edhe rëndësinë e teknologjisë dhe pajisjes së pyjeve me kamera, për ta penguar prerjen ilegale mirëpo edhe këtu duhet një dakordancë ndër-institucionale, nëse përdorimi i materialeve të tilla shkakton implikime ligjore.
Në përbërjen e Task – Forcës për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve të Kosovës përveç Ministrive përkatëse, bëjnë pjesë edhe organet e rendit dhe ligjit, Asociacioni i Komunave të Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Shoqata të Pronarëve të Pyjeve Private si dhe Shoqatat relevante të përpunuesve të drurit.Ndryshe, Task-Forca për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve në Kosovë, u formua me vendim qeveritar në korrik të këtij viti me iniciativë të Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci./Gazeta “Enigma”/