Dyshja Durant – Harden udhëhoqi Nets drejt suksesit të katërt sezonal, teksa Brooklyn mundi thellë ekipin e Detroit Pistons 117-91.
Skuadra e drejtuar nga kanadezi Steve Nash kishte favorin për të luajtur plot gjashtë ndeshje radhazi në shtëpi, megjithatë triumfi ndaj franchise-t nga Michigani është vetëm i treti për Nets gjatë kësaj faze, duke pasur parasysh humbjet brenda me kundërshtarë si Charlotte Hornets dhe Miami Heat, ndërkaq takimin e fundit të kësaj periudhe Brooklyn do ta ketë mëngjesin e ditës së enjte me skuadrën e Atlanta Hawks.
Vendasit u paraqitën në Barclays Center përpara 13.507 spektatorëve me bilancin e barabartë 3 fitore e 3 humbje dhe pa tre lojtarë si Kyrie Irving, Paul Millsap dhe Nicolas Claxton, gjithsesi Nets dominuan takimin gjatë gjithë kohës, duke regjistruar triumfin e tretë rresht ndaj Pistons dhe të pestin radhazi në shtëpi ndaj skuadrës së Detroitit.
Përvec dy avantazheve të fillimit 2-1 dhe 4-3, miqtë barazuan gjithashtu edhe tri herë në fillimin e fraksionit të dytë të ndeshjes, me shifrat 28-28, 30-30 dhe 32-32, sidoqoftë pas këtyre momenteve ekipi i Brooklynit mori kryesimin dhe u shkëput ndjeshëm, për të fituar në fund me rezultatin e thellë 117-91.
Ylli i Nets, Kevin Durant, u pa shumë nervoz dhe tre minuta para fundit të periodës së tretë 33-vjeçari nga Washington D.C. goditi me bërryl në fytyrë basketbollistin kanadez të Pistons, Kelly Olynyk. Gjyqtarët e takimit nuk patën asnjë rrugë tjetër përveçse ta përjashtonin lojtarin veteran, që është shpallur për plot katër sezone si pikëshënuesi më i mirë në kampionatin më spektakolar në rruzull.
Durant e mbylli mbrëmjen me 23 pikë, ndërkohë James Harden regjistroi të parën “triple–double” të sezonit dhe të 59-tin në karrierë, teksa e përfundoi takimin me 18 pikë, 10 topa të rekuperuar dhe 12 asist, në diçka më pak se gjysmë ore lojë.
Kevin Durant was ejected after this foul was ruled a Flagrant 2. pic.twitter.com/d7RdSFwCZk— SportsCenter (@SportsCenter) November 1, 2021