Qendrat mësimore ndihmojnë në qasjen në arsim të fëmijëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian

Qendrat mësimore ndihmojnë në qasjen në arsim të fëmijëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian

Qendrat mësimore në Kosovë kanë ndikuar që fëmijët e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptian të kenë qasje më të mirë në procesin mësimor, por që sfidë për këto qendra mbetet aspekti buxhetor për qëndrueshmëri dhe funksionalizimin e tyre.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” në partneritet me “Terres des hommes” në Kosovë në kuadër të programit të Arsimit, me temën “Qendrat Mësimore dhe Problematikat e Institucionalizimit”.

Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut në Qeverinë e Kosovës, Emilija Rexhepi ka thënë se Qeveria ka qëllim që të gjithë qytetarët e Kosovës të ndihen të barabartë.

Rexhepi tha se fokus kanë parandalimin e paragjykimeve racore. Ajo tha se qendrat mësimore luajnë rol sidomos për fëmijët e komunitetit rom.

“Ne si Qeveri e Kosovës i japim një rëndësi të madhe që qytetarët e Kosovës të ndihen të barabartë, duke respektuar të drejtat themelore njerëzore dhe duke respektuar kulturën, traditën. Para se gjithash me theks të veçantë në parandalimin e sterotpieve dhe dominimit racor ngjyrën e lëkurës anti-ciganizëm që është një frymë dhe fenomen disa viteve të fundit”.

“Jam këtu që të jap përkrahje sa i përket pozitës tuaj si komunitete në shtetin tonë që të përbashkët t’ia dalim në specifikat tona sidomos komuniteti romë që gjuhën në të cilën flet nuk kanë sistem e arsimit të cilët janë shumë të rëndësishëm këto qendra për ruajtjen e gjuhës rome si gjuhë amtare. Situata me ashkalinj dhe egjiptian është më e ndryshme sepse ata mësojnë në gjuhën shqipe dhe për fëmijët e tyre është më lehtë”, theksoi ajo.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Dukagjin Pupovci tha se hendeku për qasjen e fëmijëve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptian ka qenë i theksuar sidomos gjatë pandemisë për shkak se këta fëmijë nuk kanë pasur qasje në mësim online.

Ai tha se MASHT për këtë vit ka ndarë një fond prej 200 mijë eurosh për OQJ që mbështesin qendrat mësimore që synim kanë që fëmijët e komuniteteve të mos ngecin në mësimnxënie.

“Ky hendek është rritur më shumë gjatë pandemisë pasi mundësitë e fëmijëve të komuniteteve, rom, ashkalinj dhe egjiptian për ta ndjekur mësimin online kanë qenë më se të kufizuara. Qendrat mësimore kanë kontribuar dhe do kontribuojnë në zhvillimin e këtij hendeku duke mobilizuar potencialin e komunitetit që të ndihmoj pjesëtarët e tyre[…]45% e fëmijëve të grupmoshës përkatës e vijojnë arsimin parafillor, 84% vijojnë atë fillor, 64% atë të mesëm të ulët, ndërsa 31% arsimin e mesëm të lartë dhe vetë këto shifra përveç për arritje flasin edhe për hendekun që ekziston në raport me komunitet tjera”, u shpreh Pupovci.

Drejtori ekzekutiv i Organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, Isak Skenderi u shpreh se hulumtimet kanë treguar se qendrat mësimore kanë pasur ndikim të rëndësishëm në qasjen e fëmijëve të komuniteteve të margjinalizuara në arsim.

“Qendrat mësimore kanë treguar se ndikim shumë të rëndësishëm në qasjes në arsim të fëmijëve veçanërisht nga komunitetet e cenuara dhe margjinalizuara si janë romë, ashkalinj dhe egjiptian por edhe komuniteteve dhe fëmijëve nga komunitetet tjera që kanë problem me shkollim apo mësimnxënie”, tha ai.

Ndërsa, sipas një hulumtimi të prezantuar nga Orhan Butiq tha se për shkak të nivelit të ulët të qasjes së fëmijëve në procesin mësimor ka rezultuar në krijimin e këtyre qendrave të cilat në Kosovë ekzistojnë nga viti 2001 dhe janë gjithsej 80 qendra mësimore në gjithë vendin.

Related Articles