Më 22 prill – Ditën Ndërkombëtare të Tokës do të realizohet aksion pastrimi në lagjen Dragodan (Arbëri).
Në njoftimin e bërë për media thuhet se aksioni i 22 prillit do t’i paraprijë aksionit kombëtar të 24 majit për pastrimin e vendit
“Aksioni i 22 prillit në lagjen Dragodan, do të shoqërohet edhe me këngë e hare. Humori, pozitivitet dhe dëshira e madhe për ndryshim nuk do të mungojnë. Shpresojmë që kjo frymë pozitive të mbërrijë tek secilit prej nesh. Aksionet e radhës le të jenë jo më aksione pastrimi, por tregues dhe festë e arritjes së qëllimeve tona të përbashkëta”, thuhet në njoftim.
Më poshtë njoftimi i plotë:
E duam Kosovën të pastër si loti!
Ky është qëllimi dhe misioni për të cilin Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën punon me vite për ta arritur. Mirëpo kjo është e mundur vetëm së bashku me ju që besoni se problemet bazë të një vendi nuk zgjidhen duke heshtur e as duke i injoruar ato. Një shoqëri aktive nuk pranon të jetojë e rrethuar me mbeturina e në një vend me pamje aspak të hijshme nga mbeturinat. Pothuajse çdo ditë jemi të shqetësuar duke parë fëmijët tonë të rriten në një mjedis të pashëndetshëm.
Së bashku mund ta mposhtim mosbesimin dhe ta kthejmë vetëdijen!
Ne mundemi sepse ne duam!
Kosovën të pastër e duan edhe artistë, sportistë, gazetarë e vullnetarë të tjerë të cilët më 22 prill – Ditën Ndërkombëtare të Tokës do të japin shembullin e qytetarisë aktive dhe do t’i bashkohen aktivitetit të pastrimit në lagjen Dragodan të komunës së Prishtinës.
Ne kemi vendosur tashmë, hajde edhe ti, bashkohu në aktivitetin tonë!
Pse “Figurat publike”?
Nëse ndalemi dhe mendojmë rolin e artistëve, sportistëve dhe gazetarëve në shoqëri ai padyshim është shumë i rëndësishëm. Këta janë katalizatorë të proceseve shoqërore, janë ambasadorë të vendit, janë shprehja e frymës së popullit, janë promotori dhe marketingu më i mirë i vlerave të një vendi.
Çdo shoqëri ka nevojë për figura publike dhe çdo figurë publike mund t’i kontribuojë shoqërisë!
Aksioni i 22 prillit në lagjen Dragodan, do të shoqërohet edhe me këngë e hare. Humori, pozitiviteti dhe dëshira e madhe për ndryshim nuk do të mungojnë. Shpresojmë që kjo frymë pozitive të mbërrijë tek secilit prej nesh. Aksionet e radhës le të jenë jo më aksione pastrimi, por tregues dhe festë e arritjes së qëllimeve tona të përbashkëta.
Falënderojmë të gjithë artistët dhe vullnetarët për gatishmërinë e tyre të pashoq të jenë bashkërrugëtues të aksioneve tona.
Të gjithë jemi të rëndësishëm përderisa vlerësojmë veten dhe vendin tonë.
Borxhin e papërgjegjësisë sonë në të ardhmen do ta paguajnë fëmijët tanë, andaj le të kemi kujdes dhe le të veprojmë në kohë!
Ky aktivitet do t’i paraprijë aksionit kombëtar të 24 majit për pastrimin e vendit, transmeton Telegrafi.