Greqia të martën shënoi rekord të rasteve me COVID-19. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi se vendi po përballet me valën e katërt të pandemisë. Spitalet po e ndiejnë trysninë e përkeqësimit të gjendjes.
Shteti ballkanik regjistroi 8.613 raste të reja me COVID-19 për 24 orë, njoftoi Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik.
Numri i rasteve ditore është rritur më shumë se dy fish për më pak se dy javë, shkruan France24, transmeton Gazeta Enigma.
“Jemi duke u përballur me një valë të katërt, që kryesisht i prek të pavaksinuarit”, tha Mitsotakis të martën në mbrëmje, pas takimit me homologun holandez, Mark Rutte.
Shefi i qeverisë greke tha se organi që ai e drejton është i përqendruar në rritjen e numrit të vaksinimeve dhe marrjen e masave pa vendosur izolim.
Pjesa veriore e Greqisë, ku shkalla e vaksinimit është më e ulët se në rajonet e tjera, është prekur më së shumti nga virusi ditëve të fundit.
Në qytetin e dytë më të madh grek, Selanik, menaxhmenti i një spitali kyç në luftën kundër COVID-it tha se spitali është i stërmbushur me pacientë.
Autoritetet shëndetësore të premten i bënë të detyrueshme pasaportat shëndetësore për restorantet dhe kafenetë me mjedis të hapur si dhe për hapësirat e mbyllura publike.
Përdorimi i maskave është ende i detyrueshëm në hapësira të mbyllura dhe në tubime të mëdha në hapësira të jashtme./Gazeta Enigma/