Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka quajtur budallallëk deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se Serbia është vegël që Rusia e përdor për ta destabilizuar Ballkanin. Vuçiqit i ka reaguar shefi i kabinetit të Presidentes Osmani, Blerim Vela.
Vela tha se “politika plehrë e Vuçiqit mund të jetë tërheqëse për audiencën e TV Pink ose TV Happy, por është krejtësisht pa shije”.
“Realiteti është se ai është politikan frikacak që vazhdimisht i projekton të gjitha pasiguritë e tij përmes tregimeve seksiste dhe të dhunshme. Rritu, derište!”, shkroi Vela në Twitter.
“Derište”, fjala që Vela e përdori në serbisht, do të thotë fëmijë i llastuar.
Vuçiq ka ironizuar me deklaratën e shefes së shtetit të Kosovës duke thënë se “është mirë që Asociacioni i Komunave Serbe të ketë të drejtë të prodhojë qese për krem-banane dhe kaq. Përfundimisht duhet të bëhen tre çakmakë në vit dhe të shpërndahen dy stilolapsa për Vitin e Ri, që Vjosa Osmani të jetë e kënaqur”