Ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka thënë se reformat e bëra në arsim gjatë mandatit të tij si kryetar dhe premtimet e Qeverisë Kurti se do ta ndihmojnë vetëm kandidatin për kryetar të komunës nga radhët e Vetëvendosjes, janë arsyet që ai ka humbur në zgjedhjet komunale, raporton Gazeta Enigma.
Kastrati ka thënë se edhe po ta dinte që ai do të humbte zgjedhjet, përsëri do ta bënte reformën në arsim.
“Kemi pritur që do të fitojmë. Është vullneti i qytetarëve, neve na takon me e respektu, unë e uroj kandidatin tjetër tani kur të bën betimin kryetari i komunës që t’i shkoj puna mbarë dhe të punoj mirë për qytetarët e Kamenicës. Janë dy arsye më kryesore që kam arrit me i dëgju qytetarët”.
“Është reforma në arsim që diferenca total në tërë komunën është rreth 900 vota ndërsa në ato vende është 1 mijë e 700 diferenca, aty bëhet dallimi. Edhe po ta dija se ky do të ishte rezultati prapë do ta bëja reformën sepse nuk është e rëndësishme a fiton Qëndroni a jo, por me rëndësi është me e bo një progres, një zhvillim shoqëror dhe me e luftu një qasje popullsitë prej të tjerëve”, ka deklaruar ai.
Kastrati ka thënë se deklaratat e qeverisë se do të përkrahin vetëm anëtarin për kryetar të Kamenicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë ndikuar që qytetarët të shqetësohen.
“Dhe e dyta është qasja e qeverisë, ka ardh në komunë të Kamenicës vazhdimisht dhe ka thënë që veç nëse fiton Kadri Rrahimaj ne e përkrahim dhe qytetarët e kishin një shqetësim nëse subjekti që udhëheq me Kamenicën nuk është subjekti që udhëheq me qeverinë, ata do të vazhdojnë të diskriminohen si në të kaluarën”, ka shtuar ai./Gazeta Enigma/