I dyshuari 38-vjeçar që vrau 8-vjeçarin në Fier të Shqipërisë, ka deklaruar në polici se këtë e bëri pasi i mituri e kishte sharë.
Kështu raportoi për Klan Kosova gazetari i News 24, Ervis Kuçi, i cili shtoi se deri te zbardhja e rastit erdhi pasi policia i shikoi pamjet e kamerave të sigurisë aty pranë dhe e ka parë djaloshin me biçikletën e të dyshuarit, i cili ishte fqinj i tij.
“Policia është njoftuar për zhukjen kur nëna e djalit të mitur ka bërë deponimin përkatës pas largimit të djalit të saj nga shtëpia, por s’mendoi kurrsesi që djali i saj mund të vritej nga fqinji i shtëpisë”.
“Pas denoncimit, policia dhe familjarët kanë nisur të kërkojnë, por kërkimet kanë rezultuar të pashpresa. Pasi janë parë pamjet e kamerave të sigurisë të shtëpive aty përreth dhe është parë djali duke lëvizur me biçikletën e 38-vjeçarit, ishte biçikleta ajo që e dërgoi policinë në shtëpinë e të dyshuarit dhe në cepin e oborrit të tij kanë parë një gropë me dhe të freskët dhe aty kanë gjetur trupin e pajetë të 8-vjeçarit, i cili ishte i lidhur në pjesë të këmbëve dhe i goditur në kokë”.
“Autori i kësaj ngjarjeje e ka pranuar krimin se e ka goditur në pjesë të kokës me sëpatë dhe ka deklaruar se djali e shante dhe që kjo ishte arsyeja që ndaj tij ai e ka marr një veprim të tillë”.
“Ajo çka është vënë re gjatë momenteve të para të kryerjes së kësaj ngjarjeje është se 38-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur, madje edhe persona të tjerë që e njihnin kanë deklaruar se ai shpesh konsumonte alkool e ndoshta edhe lëndë narkotike, çka e bënte që të ishte një person gjithmonë nën efektin e pijeve alkoolike, por nuk e kanë përshkruar si një person problematik, meqë nuk kishte konflikte me asnjë në atë zonë, e aq më tepër me familjen e djalit të mitur”, deklaoi gazetari Kuçi. /Gazeta Enigma.