Ish-kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka me 27 tetor i ishte drejtuar Avokatit të Popullit me kërkesë për ta shqyrtuar shkarkimin e saj nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Megjithatë edhe përkundër vërejtjeve nga ana e Bashkimit Evropian, Avokati i Popullit konstaton se vendimi për shkarkim e kryetares së KQZ’së përcaktohet me ligj.
Kështu që kërkesa e Valdete Dakës është refuzuar.
Në lidhje me këtë Daka ka thënë se në këtë rast Avokati i Popullit ka marrë anën e më të fortit.
“Unë ende nuk e kam këtë vendim të Avokatit të Popullit, nuk e di në çka është thirr ky vendim. Mendoj se është për të ardhur keq kur institucioni i vetëm të cilit unë kam mundur t’i drejtohem dhe ndërmjet të cilit kam mundur ta di se a ka qenë i drejtë shkarkimi im apo jo është i heshtur. Avokati i Popullit është institucioni i cili duhet t’i mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut, në këtë rast si duket ka marrë anën e atyre që janë më të fortë”, tha ajo për ATV’në.
Ndërsa ka shtuar se nëse Avokati i Popullit do ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e saj do të dihej nëse vendimi i Presidentes, Vjosa Osmani ishte i drejtë.