Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut në ShBA, Kathy Hochul, të premten shpalli gjendje emergjente, pasi shkalla e infeksioneve ka arritur në nivelin që nuk është parë që nga prilli i vitit 2020, duke theksuar gjithashtu se varianti i ri i koronavirusit, i cili së pari u shënua në Botsvanë të Afrikës, “është duke ardhur”.
Më herët të premten, Shtetet e Bashkuara u ndaluan fluturimet nga tetë shtete të pjesës jugore të Afrikës në përpjekje për ta parandaluar ardhjen e variantit të ri, që i është vënë emri “Omicron”. Vendimi për ndalimin e fluturimeve hyn në fuqi të hënën, shkruan Daily Mail.
Të premten në mbrëmje, një aeroplan nga Afrika e Jugut aterroi në Holandë dhe u raportua se dhjetëra pasagjerë ishin të infektuar me variantin “Omicron”. Të gjithë pasagjerët janë vendosur në karantinë dhe po testohen.
Guvernatorja Hochul tha se të gjitha procedurat jourgjente mund të shtyhen duke filluar nga 3 dhjetori, nëse kapacitetet e lira të spitaleve bien në nivel të ulët të rrezikshëm. Ajo vendosi që nëse një spital ka më pak se 10 për qind të shtretërve të lirë, do t’i lejohet anulimi i procedurave jourgjente ose që bëhen me zgjedhje.
Ajo lshoi një deklaratë të emergjencës së fatkeqësive, duke theksuar se përhapja e Covid-it është në një nivel që nuk është parë nga prilli i vitit 2020. Shpallja e kësaj deklarate zhbllokon kompetenca të gjera për guvernatoren që të marrë masa emergjente, pa miratimin e zakonshëm nga kongresi shtetëror.
“Po vazhdojmë të shohim shenja paralajmëruese të rritjes së Covid-it këtë dimër dhe përderisa varianti i ri, “Omicron”, ende nuk është shënuar në Shtetin e Nju Jorkut, ai është duke ardhur”, shkroi në një rrjet social guvernatorja Hochul./Gazeta “Enigma”/