Tanimë edhe zyrtarisht është hapur Rruga e Arbërit, e cila konsiderohet si një zhvillim i rëndësishëm infrastrukturor.
Mbi 80 për qind e këtij aksi rrugor është i kalueshëm, por menaxheri i projektit për ndërtimin e saj, bëri apel për drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes me shpejtësinë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në profilin e tij në Facebook ka publikuar një video nga ceremonia e hapjes së kësaj rruge.
“Provizorisht kalohet me bypass anash Tunelit të Murrizit, ku për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në pranverë, kur rruga do të bëhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje”, ka njoftuar Rama.
Tirana tashmë do të lidhet më shpejt me zonën verilindore dhe qarkun e Dibrës përmes aksit prej 70 kilometrash, që përbëhet nga 6 tunele dhe 4 ura.
Aktualisht punimet për përfundimin e rrugës janë fokusuar në tunelin e Murrizit. Rruga përfundon në Blladë, në kufi me Maqedoninë e Veriut me një gjatësi rreth 74 kilometra.