Eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci paralajmëroi se varianti Omicron është lehtësisht i transmetueshëm dhe mund t’i shpëtojë çdo lloj imuniteti ekzistues, të përfituar nga vaksina apo infektimet e mëparshme.
“Profili i mutacioneve sugjeron fuqishëm se varianti ka një avantazh në transmetueshmëri dhe mund t’i shpëtojë mbrojtjes imuntare nga vaksinat apo infektimi natyror. Ndoshta nuk është kjo ajo që do të ndodhë, por ka tregues të fortë që sugjerojnë se ne duhet të përgatitemi për këtë”, tha Fauci.
Por, ndërsa përhapja më e shpejtë dhe rezistenca e mundshme ndaj vaksinës, janë në gojën e shumicës së ekspertëve, një element i rëndësishëm i virusit mbetet i pakonfirmuar; agresiviteti i tij. Të dhënat e para flasin se Omicron mund të mos jetë aq i rrezikshëm sa paraardhësit e tij. Një mjeke nga Afrika e Jugut që ishte mes të parave që zbuloi variantin e ri, tha se simptomat e tij deri më tani dukeshin të lehta dhe prekurit po trajtohen në shtëpi.
“Duke parë simptomat, besoj se nuk ka arsye për panik pasi nuk po shohim pacientë të prekur tënde. Duke parë spitalet në zonën time mund t’iu them se kanë vetëm një pacient në intubim dhe ende nuk e dimë nëse është i prekur nga Delta apo Omicron”, u shpreh Dr. Angelique Coetzee, mjeke në Afrikën e Jugut.
Mjekja afrikanojugore thotë se simptomat më të zakonshme të variantit tëri, janë lodhje, dhimbje koke dhe trupi. Disa, thotë ajo mund të kenë edhe gërvishtje fyti dhe kollë por nevoja për oksigjen nuk është vërejtur deri më tani. Megjithatë, ekspertët kanë thënë se do të duhet më shumë kohë, e studime të mëtejshme për të përcaktuar efektet e variantit të ri.