Autoritetet japoneze të premten lehtësuan spekulimet për një shpërthim të mundshëm vullkanik në malin Fuji, maja më e lartë në vend, pas një tërmeti me magnitudë 4.8 që e vendosi çështjen për diskutim në Twitter.
Një tërmet me magnitudë 4.8 goditi zonën pranë malit kult, 100 km në perëndim të Tokios, në orën 6:37 (21:37 GMT, të enjten), por nuk pati raportime për të lënduar, viktima apo dëme të mëdha materiale.
Hashtag-u “Shpërthimi i malit Fuji” filloi të bëhej i njohur në Twitter dhe një përdorues shkroi: “Tokio do të ishte në telashe të vërteta nëse mali Fuji do të shpërthente. Duke qenë se infeksioni me koronavirus është në vazhdim, ku mund të shpëtojmë?”
Vullkani shpërtheu për herë të fundit më shumë se 300 vjet më parë, por ai është ende aktiv dhe herë pas here kalon nëpër periudha aktiviteti që mund të prodhojnë disa qindra tërmete në muaj.
Një panel i qeverisë japoneze paralajmëroi vitin e kaluar se çdo shpërthim i madh do të hidhte aq shumë hi në Tokio sa rrjeti i saj i trafikut të trenave dhe autostradave do të paralizohej në tre orë.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë, megjithatë, tha se nuk kishte të dhëna që tregonin një gjasë të shtuar të një shpërthimi vullkanik në malin Fuji. “Ne nuk pamë ndonjë anomali të veçantë në të dhënat e vëzhgimit në lidhje me malin Fuji. Ndoshta nuk ka asnjë lidhje (midis tërmetit dhe shpërthimit të mundshëm)”, tha një zyrtar i agjencisë në një konferencë shtypi./Gazeta Enigma/