Kjo është një prokurori qyqare e udhëhequr nga një prokurori frikacake, tha para Këshillit të Specializuar të Kosovës në Hagë, Jonathan Reese, avokati i Hysni Gucatit, kur kjo gjykatë së bashku me Nasim Haradinajn i akuzojnë ata për pengim të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve.
Përkundrazi, shtoi Reese, Hisni Gucati nuk është frikacak, “ai është dhe ka qenë gjithmonë i hapur dhe i ndershëm në veprimet e tij”.
Ai po ashtu ka thënë se Prokuroria e Specializuar ndaj Gucatit dhe Haradinajt po i drejton me akuza të sajuara në një rast në të cilin nuk ka viktima. Avokati i Gucatit theksoi se klienti i tij do të dëshmojë të hënën më 6 dhjetor kur është caktuar fillimi i paraqitjes së provave për këtë rast dhe se do t’i përgjigjet çdo pyetjeje që do t’i bëhet.
Aktakuza kundër ish-drejtuesve të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, përmban gjashtë vepra penale kundër gjyqësorit – pengim i zyrtarëve në kryerjen e detyrës zyrtare (dy pika), frikësimi i dëshmitarëve, hakmarrja dhe shkelje e fshehtësisë (dy pika).
Gucati dhe Haradinaj i kanë kryer këto veprime duke publikuar dokumente konfidenciale të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar të Kosovës, duke përfshirë identitetin e dëshmitarëve të mundshëm, në konferencat për media nga 7 deri më 25 shtator të vitit të kaluar.
Avokati i Gucatit, Jonathan Reese, në fillim të fjalës së tij hyrëse tha se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, “i cili si i tillë duhet të veprojë dhe të respektojë të drejtën e lirisë së shprehjes”.
Ai ka treguar se gazetari nga Prishtina, Halil Berisha, ka vazhduar të publikojë të dhëna nga dokumentet konfidenciale edhe më 16 shtator dhe se ka publikuar në tërësi letrën e pa redaktuar me titull “Kërkesa për Koordinim nr. 63” të prokurorit të atëhershëm për krime lufte të Serbisë, Vladimir Vukçeviq, si dhe informacione nga Dushan Dragoviq nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
“Berisha tha se dihet përgjithësisht se anëtarët e MUP-it serb kanë vepruar ilegalisht në Kosovë, dhe se publikimi i informacioneve ishte në interes të publikut. Prokuroria e specializuar vuri në dukje se Berisha nuk bëri asgjë të keqe dhe mbrojtja është dakord me këtë”, theksoi Reese dhe pyeti se si Berisha kishte akses në dokumente që duhej të kishin mbetur sekret.
Më pas Reese theksoi se Prokuroria e Specializuar nuk thirri asnjë dëshmitar nga radhët e saj për të shpjeguar se kush, në çfarë mënyre dhe për çfarë arsye lejoi që materiali sekret të mbërrinte nga Prokuroria në selinë e Shoqatës, gjë që ndodhi tre herë.
“Edhe pse prokurori i specializuar tha se ato dokumente ishin të vjedhura, prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë për të mbështetur këtë pretendim. Kur themi se prokurori që punon ende aty është përfshirë në faktin që dokumentet kanë mbërritur në shoqatë, prokuroria nuk përgjigjet”.
“Prokuroria nuk ofroi asnjë provë për ta hedhur poshtë këtë. Nuk ka asnjë raport mbi bazën e të cilit mund të hiqet përgjegjësia e stafit të prokurorisë për pjesëmarrje të qëllimshme në rrjedhjen e dokumenteve”, theksoi avokati Reese./Gazeta Enigma/