Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka reaguar pas paralajmërimit të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, se do të bëhen publike shpenzimet e të akuzuarve në Hagë.
Bytyçi tha se shpenzimet e mundshme ishin klasifikuar si sekret vetëm për një periudhë të caktuar kohore dhe të njëjtat do të bëheshin të qasshme, sipas tij, kur procesi të ketë përfunduar.
“Dokumentacioni përcjellës dhe shpenzimet e mundshme ishin klasifikuar sekret me një procedurë të qartë ligjore. Ky klasifikim vlen vetëm për një periudhë të caktuar, pra, shpenzimet dhe çdo dokument për secilin të akuzuar, do të bëhej publike pasi procesi të këtë përfunduar, jo vetëm shpenzimet por edhe dokumentet përcjellëse do të bëheshin të qasshme. Arsye se pse do të duhej të ndodhte kështu, është për shkak të natyrës së punës që kanë avokatët mbrojtës, hetuesit privat, ekspertët e ndryshëm dhe në përgjithësi ekipi mbrojtës”, tha Bytyçi.
Ai tha se mundësinë e mbrojtjes së barabartë dhe pafajësinë e eskponentëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot po e sulmon Albin Kurti përmes ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu.
“Vendimi është i panevojshëm, dashakeq dhe i rrezikshëm për mbrojtjen e të akuzuarve. Në emër të transparencës, sot po sulmohet me vetëdije edhe dinjiteti i ushtarëve dhe themeluesve të UÇK-së që gjinden në Hagë”.
“Gjithmonë kam menduar se ushtarët tanë të lirisë, do të duhej të shqetësoheshin vetëm për akuzat që kanë burim raportin e Dick Martyt, aty-këtu edhe ndonjë gënjeshtër nga Serbia, por asnjëherë nuk e kam pritur që ushtarët e UÇK-së do të sulmohen në këtë formë, nga zyrtarët shtetëror të Kosovës, e sidomos tani kur janë në burg”, tha tutje Bytyçi.