Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, qëndruan gatitur para pllakave për të nderuar ata që ranë në Luftën e Parë Botërore, të premten.
Por, njëra nga to, e mbase qendrorja, me mbishkrim çirilik, iu dedikohet ushtarëve serbë.
E respekti për këta të fundit, që u bë të premten, po shihet si një gabim i madh i autoriteteve të vendit. Kjo për faktin, se ata që u nderuan, kishin vrarë shumë shqiptarë në vitet 1912-1918.
”Çdo nderim që u bëhet të tillëve nga institucionet e Kosovës është e pafalshme, sepse përbën fyerje për viktimat dhe amnisti për krimet e kriminelët”, ka thënë opinionisti Jusuf Thaçi,
Por, Ministria e Mbrojtjes, mohoi se nderimet iu dedikuan ushtarëve serbë.
”Togu ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francez dhe gjerman. Pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse, dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serb”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes
Këtij postimi i ka dalë kundër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli,
”Çdo justifikim i këtij lloji është gabim në vetëvete. Duhet pranuar se ishte lëshim dhe gabim rreshtimi i ushtarëve tanë (pa fajin e tyre) para një pllake ku përkujtohen ushtarët serb të rënë në luftën e parë botërore të cilët historikisht dihet se kanë kryer krime të rënda ndaj shqiptarëve”, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Enver Dugolli.
Në këtë ceremoni të organizuar nga Ambasada Gjermane dhe ajo Franceze në Prishtinë, me rastin e 104-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sfeqla, i cili nuk ka reaguar karshi këtij rasti.