Ky dimër nuk pritet të kapërcehet lehtë. Sipas njoftimit të ZRRE-së Kosova mund të ketë vështirësi në sigurimin e energjisë elektrike, por që për shkak të rënies së çmimit në bursë nuk raportohet që krizat të jenë sikur në vitet paraprake, raporton Gazeta “Enigma”.
Termocentralet e stërvjetra por aktive të KEK-ut, edhe po të punonin në mënyrë perfekte dhe pa asnjë ndërprerje, nuk mund të arrijnë sasinë e kërkuar të rrymës gjatë ditëve të ftohta.
Konsumi gjatë pikut të tij që është zakonisht gjatë dimrit, shkon kryesisht deri në 1280-1300 megavat për orë. Kurse, Kosova me kapacitetet e saj maksimumi mund të prodhoj deri në rreth 750 deri 800 megavat në orë.
Kosova sikurse shumë vende të tjera, gjatë fundit të vitit 2021 dhe fillimit të 2022-tës pati krizë energjetike me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë ani pse shpenzoi miliona euro duke importuar.
E kur stina e dimrit nuk është larg, shtrohet pyetja nëse një gjendje e njëjtë mund të përsëritet.
TV Dukagjini, dërgoi pyetje tek Zyra e Rregullatorit për Energji, dhe Ministria e Ekonomisë nëse kanë hartuar planin për menaxhimin e energjisë për stinën e dimrit dhe nëse kanë arritur ndonjë marrëveshje për import të saj.
Asnjëra as tjetra nuk morën mundin për përgjigjen gjatë të hënës. Megjithatë, ata që monitorojnë punën e të dyja këtyre institucioneve, thonë që Kosova përsëri do të ketë problem me sigurimin e energjisë.
Presim që do të ketë vështirësi edhe në këtë vit, sidomos në dy muajt e pare të 2025-tës, kur muaji janar dhe shkurt janë zakonisht ku mbrrihet piku i kërkesës,” tha Dardan Abazi, nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).
Abazi thotë se pjesa tjetër e kërkesës së energjisë mbulohet vetëm me import, e ku çmimet e saj dallojnë nga periudha në periudhë.
“Zakonisht, kur neve na duhet më së shumti import çmimet janë relativisht të larta, megjithëse nuk janë çmimet e krizës energjetike më, kemi parë që në vitin 2022 ka qenë një çmim shumë i lartë mesatar i importit kurse menjëherë në vitin 2023 ka pasur një rënie prej 50% të çmimit të importit në treg,” shtoi Abazi.
Ndërkaq, profesori universitar Vezir Rexhepi thotë se investimet e Kosovës efiçiencë dhe çmimet e importit në bursë kanë rënë momentalisht dhe nëse qëndrojnë kështu Kosova kalon më lehtë këtë vit.
“Janë shumë faktor që e determinojnë nëse do të ketë dimër të vështirë, dhe apo edhe nëse do të ketë reduktime, dihet që Kosova varet prej diku 80% prej termocentraleve, pra prej energjisë fosile kurse 20% llogaritet të jetë energji e ripërtritshme, kështu që bazuar në çmimet e burses mendoj edhe kushtet klimatike atëherë mendoj që dimri do të jetë më i lehtë,” shtoi Rexhepi.
Çmimi i megavatgit të energjisë sipas bursës hungareze me 1 tetor pritet të jetë 79 euro, i cili kishte periudha ku arrinte deri mbi 400 euro.