Nuk ka asnjë shenjë se barrikadat mund të hiqen. Lista Serbe ka shtuar kushtet që kërkon t’i plotësohen për t’i larguar ato. Ish-kryeministri Haradinaj dhe Ambasadori gjerman kanë thënë se festat e fundvitit duhet festuar pa barrikada. Nuk dihet nëse këto dëshira do të mund t’u bëhen realitet.
Kryeministri Albin Kurti thotë se nuk mund të qëndrojnë përgjithmonë barrikadat në rrugën e veriut, që janë rivendosur më 10 dhjetor dhe kanë shkuar duke u shtuar përgjatë 12 ditëve.
Por, nuk ka asnjë shenjë se ato do të hiqen. Dhe, Kryeministrin, siç i ka thënë mediumit britanik “The Guardian” e shqetësojnë pasojat, nëse barrikadat do të largoheshin.
Zyrtarët serbë, që nga Presidenti Aleksandër Vuciq, që thotë se nuk i ka urdhëruar vendosjen e barrikadave, flasin për eskalim të situatës në konflikt të armatosur. Tashmë Serbia i ka bërë kërkesë NATO-s për dërgimin e njëmijë trupave në Kosovë.
Përkundër këtyre, festat e fundvitit, kanë nisur të përmenden si afat kur do të duhej të hiqeshin barrikadat që kanë bllokuar rrugët e veriut.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, të cilit Vuciq së fundmi ia ka shpallur deklaratat anti-serbe, ka thënë se, meqë është kohë në prag të krishtlindjeve, bllokadat e rrugëve të veriut duhet të largohen sa më shpejt. Madje diplomati gjerman që u kritikua shumë nga Serbia përmendi si “afat” për heqjen e barrikadave.
“Keni barrikada bllokuese dhe nuk mund të lëvizni aq. Ka njerëz në veri dhe do të nënvizoja që ata po vuajnë më së shumti dhe janë bërë një top goditjeje nga politika. Kështu që, tash sidomos, meqë po vijnë Krishtlindjet, këto barrikada duhet hequr sa më parë që të jetë e mundur”, tha Rohde.
Në një postim të Kryeministrit Ramush Haradinaj, ku flitej për vlerat evropiane, është kërkuar që festa e fundvitit të festohen pa barrikada. Për këtë ai i ka kërkuar NATO-s dhe misionit të saj në Kosovë, KFOR-it, të ndihmojnë.
“Po ashtu, u bëj thirrje të gjitha vendeve mike të Kosovës apo të Serbisë, NATO-s e KFORIT, që të ndihmojnë në heqjen sa më parë të barrikadave, kësaj njolle të fundit në Evropë. T’i kalojmë festat e fundvitit si evropianë e të civilizuar, në qetësinë familjare e jo në barrikada e me urrejtje për njëri-tjetrin. Miqësisht Ramush Haradinaj”, përfundon kreu i AAK-së.
Por, nuk dihet nëse sponsorizuesve të barrikadave do t’u bëjnë përshtypje festat e fundvitit. Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe është lajmëruar sërish të martën nga barrikadat, për të treguar se nuk i largojnë ato.
Rakiq, në fakt, i ka renditur disa kushte që kanë në këmbim të heqjes së barrikadave, që ishin lirimi i të arrestuarve të veriut nën dyshime për krime dhe largimin e Policisë nga pjesa veriore e Kosovës.
As Kryeministri Kurti nuk e ka lidhur me festa heqjen e barrikadave, në intervistën e tij të shumëpërfolur, kur shprehej i shqetësuar.
“Shqetësimi ynë është që heqja e barrikadave s’mund ta përjashtojë mundësinë e viktimave. Dhe kjo është pse ne duam të jemi të kujdesshëm sa më tepër që është e mundur”.
Në ditët e para të vendosjes së barrikadave, kur u shtynë zgjedhjet që ishin caktuar të mbaheshin më 18 dhjetor në katër komunat me shumicë serbë, përfaqësues të qeverisë thonin se ka një afat kur barrikadimet duhet të hiqen. Më vonë u tha se po pritej të vepronte KFOR-i për largimin e tyre, para se të ndërhynte Policia e Kosovës.
Por, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që gjatë javës së kaluar sa qëndroi në Prishtinë tha se barrikadat duhet të largohen nga njerëzit që i kanë vënë ato.
“Realiteti është se ne kemi nevojë që të gjithë të kontribuojnë në proces dhe të gjithë të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj krize aktuale. Unë vërtet besoj se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vënë ato“, tha Escobar në një intervistë për Radio Evropën e Lirë./gazetaexpress
Barrikadat në veri u vendosën më 10 dhjetor, pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq. Ai dyshohej se organizoi sulmin ndaj zyrtarëve zgjedhorë dhe zyrtarëve policorë më 6 dhjetor.
Që prej fillimit të dhjetorit, kishin nisur incidentet paralelisht me kërkesat për të mos u mbajtur zgjedhjet për kryetarë të katër komunave, që u shpallën pasi ata dhe serbët e veriut dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.