A do t’i kemi rrëfenjat e reja kombëtare për realitetet e reja?

A do t’i kemi rrëfenjat e reja kombëtare për realitetet e reja?

Milazim KRASNIQIOPINION

Shqiptarët e Kosovës po edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë gjithandej nëpër botë, kanë me qindra mijëra raste, në baza ditore, që të takojnë njerëz të kombeve, feve e racave të ndryshme. E natyrshme është që bisedat me njerëz të tjerë lidhen edhe me atdheun, prej nga e kanë prejardhjen. Pyetja që mua më preokupon për këtë mundësi të madhe të njerëzve shqiptarë është: a ka një rrëfim shqiptar, unik e atraktiv për Kosovën, të cilin mund t’ua tregojnë të tjerëve dhe që ai tregim të bëjë përshtypje, të bëhet pjesë e opinionit të njerëzve të tjerë? A ka një rrëfim të tillë, të ngulitur në mendjen e ne shqiptarëve, sidomos për Kosovën, pasi Shqipëria tashmë nuk e ka edhe aq atë nevojë të prezentohet me anën e miteve kulturore kombëtare. (Shqipëria po prezentohet me bumin turistik.) Në dijeninë time, nuk ka një tregim unik shqiptar për Kosovën.

Heqja dorë vullnetarisht nga rrëfimi shqiptarëror

Nëse është kështu, atëherë secili shqiptar që gjendet në një situatë t’i rrëfejë një të huaji diçka për Kosovën, do të flasë në bazë të opinioneve të veta personale, në bazë të hamendjeve të veta, në bazë të imagjinatës së vet. (Në vitet kur ishim nën okupimin serb, rrëfimet kanë qenë të koncentruara në dhunën që ushtrohej, në numrin e viktimave civile, në dëmet që u shkaktoheshin ekonomive familjare, në numrin e të burgosurve e të të vrarëve, pra, rrëfimi mbëshetej në një faktografi të kuptueshme. Si të atilla, ato mund të kenë qenë pjesë e formimit të opinionit publik, në përkrahje të kauzës e Kosovës për liri e pavarësi.) Meqë Kosova ka dalë nga okupimi dhe është pavarësuar, meqë ka një mbrotjje civile e ushtarake ndërkombëtare nga OKB-ja, rrëfimi për ato vuajtje të shqiptarëve në të kaluarën, mund të mos jetë me ndikim, sidomos nëse nuk merr ndonë shtresë mitike si rrëfim. Thënë thjesht, tash kërkohet një rrëfenjë tjetër, një rrëfenjë e konstruktuar dhe e strukturuar me shtresa mitike e identitare shqiptare për Kosovën.

A ka projektuar ndokush nga politikanët, intelektualët, filologët, historianët, antropologët, propaganduesit, klerikët, influencerët tanë, se si mund të intonohet një rrëfim i transformuar në një rrëfenjë emotive, që do t’u tregohej të huajve dhe të jetë i atillë që ata ta kuptojnë, ta besojnë e të formojnë opinionin për Kosovën në bazë të saj? Nëse mirren si referenca dy dokumente a projekte akademike, të mëhershme, njëri i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Shqipërisë (më duket 1998) dhe tjetri i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve ë Kosovës (2023) lirisht mund të thuhet se rrëfim shqiptar për Kosovën shqiptare në to nuk ekziston. Në dokumentin e parë dominon një qasje kozmopolitite, antinacionaliste dhe antikombëtare mbi Kosovën, meqë Kosovën  e trajton si fragment kombëtar të tjetërsuar, e cila të ardhmen duhej ta kërkonte në Jugosllavi. Në dokumentin e dytë dominion një qasje denoncuese, zhvlerësuese dhe kompromentuese mbi Kosovën si subjekt shtetëror. Në letërsinë shqipe mund të gjenden fragmente veprash që ofrojnë një qasje mitike mbi shqiptarërinë e Kosovës, në pak vepra, në pak faqe. Me gjithë diskutimet e mundshme për konceptin, referencë mund të mbetet vepra e Ismail Kadaresë, “Tri këngë zie për Kosovën”, sado që konceptualisht më shumë është ballkaniste se sa shqiptariste. Ndërsa shkrimtarët e rinj shqiptarë pothuajse vullnetarisht, përveç ndonjërit që të tjerëve mund t’u duket i fantaksur, kanë hequr dorë nga ideja që Kosovën ta trajtojnë në dimensionin e saj mitiko-shqiptarëror. Kanë kaluar në tema të mitologjisë antike helene, që nga kompleksi i Edipit, kompeksi i Elektres, pasionet egomane që stimulojnë prirjen drejt masturbimit, mungesës së orgazmës e halle të tjera të individit të idiotizuar.    

Po serbët, a kanë hequr dorë nga rrëfimi serbizues mbi Kosovën

Për t’ua dhënë përgjigjen në këtë pyetje, fillimisht po dua t’u ballafaqoj vetëm me një rast se si funksionon rrëfimi i tyre unik mbi Kosovën, në “mënyrë instiktive” siç do të thoshte Zbigniev Brzhezhinski. Ndonëse  mund të shkruaja një libër voluminoz lidhur me rrëfimet e serbëve për Kosovën, që nga mitologjia për Betejën e Kosovës e deri te, fjala vjen, miti absurd për Gjorgje Martinoviqin, po kufizohem vetëm në këtë rast, sepse ky rast lidhet me idenë fillestare të këtij teksti, pra si ndikohet tek tjetri. Ja shembulli interesant! Në librin e kujtimeve për shërbimin në Kosovë si Përfaqësues Special i OKB-së, Bernard Kushneri në librin “Luftëtarët e paqes”, sjellë në vëmendjen e lexuesit njohuritë që ai kishte për Kosovën, para se të vinte në Kosovë. Njohuria kyesore e Kushnerit e kishte burimin te rrëfimet e një mjeku serb me të cilin Kushneri kishte shërbyer në Biafra në vitin 1968, në misionin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Mjeku serb quhej Vlladan Radoman dhe rrëfimin për Kosovën ndaj të tjerëve e kishte obsesion. Ja një përshkrim ngjethës i dr. Kushnerit se në ç’kushte mjeku serb e përhapte rrëfenjën serbe për Kosovën: “E njoha në mes të Biafrës së rrethuar, në spitalin Auo Omana, në rrëketë e gjakut të asaj salle operacioni, ku na ndodhte të rrëzoheshim (po, po!), të binim shakull apo të rrëshqisnim nga lodhja në pellgjet e kuq, pas më shumë se 48 orë kirurgji të pandërprerë. “ Edhe në ato rrethana rrënqethëse, pra, mjeku serb e kishte një rrëfim të përsëritur për Kosovën, i cili ishte efektiv dhe tronditës për bashkëbiseduesin e tij. Ai i tregonte dr. Kushnerit vazhdimisht për tragjedinë e serbëve Fushën e Kosovës në vitin 1389. Sipas Kushnerit, ai nganjëherë e merrte lahutën e gjyshit të tij dhe këndonte fragmente nga këngët epike serbe mbi Betejën e Kosovës. Lidhur me ndikimin e rrëfimeve të anesteziologut serb, dr.  Kushneri konkludon: “ Kështu qëlloi që, në tokë afrikane, mësova se çdo familje serbe mbante me vete, si një hajmali, një copëz nga gojëdhëna: secila kishte pasur një stërgjysh të besuar të princ Llazarit, për të cilin kishin dhënë jetën në Fushë Kosovë.”

Dy gjëra janë me rëndësi jetike në këtë shembull: e para, serbët e kanë të përpunuar në detaje rrëfenjën e tyre për Kosovën, të mbështetur në gojëdhëna, të cilat ata i besojnë dhe i paraqesin si të vërteta historike. Efekti i tyre me gjasë është evident, gjë që e konfirmon vetë Bernard Kushneri. E dyta, mjeku serb ia ka paraqitur versionin serb mbi Kosovën një njeriu, i cili pas tridhjetë e një vitesh do të bëhej sundimtar absolut i Kosovës, sepse ishte i veshur me pushtet ekzekutiv, legjislativ e gjyqësor, nga sekretari i përgjithshëm i OKB. (Qoftë dhe vetëm ky rast na tregon se si mund të ndikohet në komunikim me të tjerët, për një kauzë kombëtare.) Sa e si kanë ndikuar rrëfimet e mjekut serb në veprimet pushtetore të Kushnerit nuk mund të dihet kurrë, madje as nuk ka se spekulohet në atë drejtim. Ajo që dihet në këtë rast është se ndikimi i rrëfimit të mjekut serb ka qenë mbresëlënës tek bashkëbiseduesi i tij, i cili më vonë do të bëhej person me ndikim pikërisht në Kosovë, pra edhe mbi serbët e dr. Radomanit. Natyrisht, serbët jo që nuk kanë hequr dorë nga rrërfenjat e tyre mitologjike po i kanë shumëfishuar nga vitti 1968 e deri sot. Ata kanë krijuar një mit të fuqishëm, me efekete largvajtëse, jo vetëm mbi Betejën e Kosovës, po edhe mbi “shpërnguljen e madhe serbe nën Arsenije Çarnojeviqin”, mbi “zullumin arnaut” në shekujt e sundimit  osman, mbi prejardhjen e lulkuqeve nga gjaku i dëshmorëve serbë, mbi  orientimin antieuropian të shqiptarëve muslsimanë, mbi viktimizimin në rangun e një martiri të një homoseksuali siç ishte rasti i Gjorgje Martinoviqit. Serbët jo vetëm që nuk kanë hequr dorë nga rrëfenjat e tyre e mitet e tyre për Kosoëvn, po i kanë bërë romane, drama, filma, poema, i kanë futur në librat shkollorë, i riciklojnë në medie e në politikë, vazhdimisht e nxisin studimin e asaj historie. Duke mos hequr dorë na rrëfenjat mitike, ata natyrisht që nuk kanë hequr dorë nga pretendimi i kthimit në Kosovë me sloganin e njohur “osvetiti Kosovo.” (hakmarrje për Kosovën.    

Perspektiva e hartimit të rrëfenjave të reja për realitetet e reja

Secili nga ne shqiptarët që e kemi preokupim Kosovën e shqiptarërinë (term i Sami Frashërit) mund të nxjerrim një përfundim nga shembulli vërtet mbresëlënës i ndikimit të mjekut serb, se si duhet të jemi të obsesionuar me mitin e atdheut, mitin e kombit, me identitetin tonë kombëtar, kudo ku jemi e në çdo situatë që jemi. Ndërsa institucionet tona shtetërore, shkencore e kulturore duhet të hartojnë projekte lidhur me shqiptarërinë e Kosovës dhe t’i bëjnë konkuruese me projektet aggresive të serbëve. Kush mendon se puna me Kosovën është e përfunduar, se ne e kemi marrë përgjithmonë, thjesht është idiot. Puna me Kosovën nuk është e përfunduar, sepse serbët nuk kanë hequr dorë nga pertendimi se Kosova është serbe, bile “tokë e shenjtë serbe.” Nuk ka hequr dorë as panllavizmi nga hakmarrja, sepse siç ka thënë në një rast Aleksander Dugini, beteja e Rusisë për kthimin e Kosovës në Serbi do të zgjasë “deri në ditën e fundit në Tokë.”

Brenda kësaj pasigurie strategjike, si fillim ne do të duhej të mblidhnim energjitë tona intelektuale e shkencore dhe të shkruanim historinë e kombit shqiptar, të cilën nuk e kemi shkruar ende. Duke e akomoduar aty Kosovën, si epiqender e përplasjeve të perandorive dhe si vatër vullkanike të kombformimit shqiptar, mund ta hartojmë më me efektivitet edhe rrëfenjën tonë të re për Kosovën, kësaj here për sytë dhe veshët e të huajve, atyre që takojmë çdo ditë e që shumë më të shumtën nuk dimë as çka u themi, shkaku i paditurisë sonë endemike. Përtej kësaj nevoje të përditshme, ne kemi nevojë edhe për një rrëfenjë drithëruese e motivuese mbi frymën mitike shqiptare, mbijetesën mitike shqiptare, e cila gjithashu na mungon.     

Related Articles