Në seancën së enjtes të Kuvendit është duke u diskutuar për propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për rritjen e faturave të energjisë elektrike, raporton Gazeta Enigma.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se vendi, Qeveria e qytetarët e Kosovës do të shkojnë në bankrot total nëse miratohet ky propozim.
“A jeni në men çka jeni tu fol, a jeni në men çfarë situate do ta sjellni Kosovën nëse e miratoni propozimin e ZRRE”, tha Tahiri.
Tutje ai dha kritika ndaj partisë në pushtet, LVV.
“Si është e mundur, një parti qe pretendon që është e majtë, të mbrojë kompanitë private”, theksoi ai.
Tahiri po ashtu kërkoi që të bashkohen për miratimin e një rezolute për t’i kërkuar ZRRE-së që ta ndryshojë propozimin për rritjen e çmimit të rrymës, ashtu si u bashkuan për referendumin serb.
“Të bashkohemi sot që ta ndihmojmë qeverinë, që ta votojmë një rezolutë që mos të bëhet kjo tarifë për qytetarët e Kosovës. Ju lutem kryeministër mos e shtyni këtë tarifë, po e obligojmë ZRRE-në ta bëjë një tarifë tjetër”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, të enjten po mbahen dy seanca plenare të Kuvendit, ku deputetët diskutojnë për rritjen e çmimeve në vend.
Seanca pritet të vazhdojë me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Kosovë, për t’u përmbyllur me shqyrtimin e raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2020.
Ndërsa, në orën 15:00 do të vazhdojë seanca me pikat e papërfunduara të datave 24, 28 dhe 29 dhjetor 2021. /Gazeta Enigma/