Greva e nisur më 25 gusht në arsim, u përcoll me mospajtime e reagime të shumta.
Në njërën anë SBAShK-u ngulte këmbë që ta vazhdonte grevën deri në momentin kur mësimdhënësit t’i merrnin edhe nga 100 euro shtesë çdo muaj, e në anën tjetër qeveria bënte presion që greva të ndalej dhe të vazhdohej mbajtja e mësimit.
Ato, tek pas më shumë se një muaji, u pajtuan që mësimi të niste më 3 tetor, me SBAShK-un që njoftoi se greva do të vazhdojë në janar, nëse nuk i plotësohen kërkesat.
Pas këtij dakordimi, lindi një tjetër mospajtim në mes të MAShTI-t dhe SBAShK-ut, ai i kompensimit të orëve në ditët e shtuna.
Sipas vendimit të kësaj ministrie, tetë ditë mësimore që nuk u mbajtën për nxënësit nga klasa e parë deri në të tetën do të zëvendësohen gjatë të shtunave. Ndërkaq, gjysmëvjetori i parë për nivelin parauniversitar të përfundojë më 27 janar dhe pushimi dimëror do të nisë më 30 janar dhe të zgjasë deri më 3 shkurt të vitit 2023.
Gjysmëvjetori i dytë për vitin shkollor 2022-2023 të nisë më 6 shkurt dhe pesë ditët e mbetura mësimore do të mbahen gjatë pushtimit pranveror në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Viti shkollor të përfundojë në data të ndryshme për nivelin e arsimit parauniversitar. Maturantët ta përfundojnë vitin shkollor më 5 qershor, klasat e nënta, e dhjeta dhe të njëmbëdhjeta më 27 qershor dhe parafillorët më 30 qershor të vitit 2023.
Ky vendim e shqetësoi edhe Këshillin e Prindërve, i cili thotë se prindërit janë kundër kompensimit të orëve të humbura si pasojë e grevës. Sipas këtij këshilli, as prindërit e as fëmijët nuk kanë asnjë përgjegjësi për orët e humbura, prandaj as nuk kanë përse të mbajnë barrë shtesë e të privohen nga jeta jashtëshkollore për t’i kompensuar ato.
Ndërkaq sot SBAShK-u do të mbajë një konferencë për medie, për të treguar se cili do të jetë qëndrimi i tyre në lidhje me zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.