Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë në opsion tërheqja e njohjes së Kosovës nga shteti i tij.
Gjukanoviq ka thënë se vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës shteti malazez e ka marrë pas një analize si në aspektin juridik ashtu edhe në atë politik.
“Tërheqja nuk ka qenë asnjëherë opsion. Mali i Zi është një shtet serioz. Jemi fqinj të përgjegjshëm dhe nuk është se e kemi pranuar pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008 në mënyrë të përshpejtuar. Ne kemi analizuar aspektin juridik dhe aspektin politik, pastaj kemi ardhur deri te konkludimi se në interes të stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit është e nevojshme të që pranohet pavarësia e Kosovës”, ka thënë Gjukanoviq.
LEXO EDHE: Demarkacioni, Gjukanoviq lë të hapur mundësinë e korrigjimit të kufirit me Kosovën
Sipas tij, Mali i Zi në secilin hap të vetin para dhe veçanërisht pas pranimit të Kosovës ka demonstruar qartazi se nuk ka dilema në njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Përkundrazi ne duam t’i ndihmojmë Kosovës ashtu siç duam t’i ndihmojmë edhe të gjitha vendeve tjera të rajonit që në mënyrë sa më të vendosur dhe sa më shpejt të pranojmë sistemin e vlerave evropiane dhe të ecim përpara drejt rrugës së Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, ka shtuar Gjukanoviq në RTK.