A mund të shpëtohej foshnja e gruas së vrarë në oborrin e QKUK-së? (VIDEO)

A mund të shpëtohej foshnja e gruas së vrarë në oborrin e QKUK-së? (VIDEO)

Dorëheqjen morale nuk e komentuan si opsion udhëheqëset e shëndetësisë, lidhur me vrasjen e 35-vjeçares shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë.

Madje, ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, u deklarua për një temë tjetër, atë të buxhetit, që ishte e ftuar për diskutim.

Nga mediat iku krejt edhe u.d e drejtoreshës së SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu, madje edhe kur u pyet për mundësinë se a do të mund të shpëtohej foshnja. Përkundër që Zejnullahu është edhe gjinekologe.

E, në fakt, as nga Klinika e Gjinekologjisë nuk kanë pranuar të flasin asnjë fjalë në çfarëdo forme, me arsyetimin se rasti i takon prokurorisë.

Megjithatë, për avokatin Armend Shkoza, mosdhënia e ndihmës mjekësore është vepër penale atëherë kur profesionisti është i obliguar ta bëjë atë dhe kur në mungesë të saj shkaktohen pasoja fatale.

Por që në rastin konkret Shkoza konsideron se është goxha problematik obligimi dhe detyrimi i personelit.

“Është problem që t’i vishet personelit mjekësor një detyrim i tillë për faktin se para së gjithash ne kemi pasur të bëjmë me një viktimë, e cila tanimë veçse ka ndërruar jetë dhe se çfarëdo veprimi mund të kishte komplikuar edhe aspektin e të provuarit. Pasi që jo rrallëherë edhe vetë trupi i viktimës është burim i të provuarit dhe kështu që do të mund të ishin kontaminuar provat”, shpjegon avokati Armend Shkoza.

I njëjti konsideron se gatishmëria te stafi në aspektin human nuk ka munguar dhe, para se të gjykohen mjekët, duhet kërkuar llogaridhënie te hallkat që nuk arritën ta mbrojnë jetën e viktimës H.M.

Ndërkaq, bën me dije se, sipas procedurës penale, ndërhyrja në kufomë është nën autoritetin e Mjekësisë Ligjore.

Në fakt, lidhur me këtë rast të rëndë, edhe shoqëria civile ka kërkuar hetim ndërkombëtar, përfshirë edhe temën e foshnjës.

Related Articles