Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer nuk sinjalizoi ndonjë vendim për lejimin e Ukrainës që të përdorë raketa me rreze të gjatë për të goditur objektivat brenda Rusisë pas bisedimeve me presidentin amerikan, Joe Biden në Uashington.
Kur u pyet nëse e kishte bindur Bidenin që të lejonte Ukrainën të lëshonte raketa me rreze të gjatë në Rusi, Sir Keir tha se ata kishin pasur “një diskutim të gjatë dhe produktiv”.
Shtëpia e Bardhë tha se kanë shprehur gjithashtu “shqetësim të thellë për ofrimin e armëve vdekjeprurëse nga Irani dhe Koreja e Veriut për Rusinë”.
Më herët presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi vendet perëndimore që të mos lejojnë Ukrainën të lëshojë raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj Rusisë, shkruan BBC.
Duke iu drejtuar gazetarëve përpara takimit të tij me Sir Keir në Shtëpinë e Bardhë, Biden u shpreh se s’mendon për Putinin.
“Unë nuk mendoj shumë për Vladimir Putinin”, është shprehur ai.
Deri më sot, ShBA-ja dhe Britania e Madhe nuk i kanë dhënë leje Ukrainës për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave brenda Rusisë, nga frika e përshkallëzimit.
Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje vazhdimisht aleatëve perëndimorë të Kievit që të autorizojnë një përdorim të tillë, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës.