Në media sot është raportuar se Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla janë sjell në prokurori nën masa të rrepta të sigurisë. Të njëjtit dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt, shkruan Insajderi
Dyshja raportohet se janë marrë në pyetje lidhur me veprat e dyshuara penale.
Insajderi ka kontaktuar zëdhënësen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj për të kuptuar më shumë detaje rreth rastit, por e njëjta u shpreh se nuk mund të jap detaje të hollësishme në këtë fazë të hetimeve.
“Të nderuar, kjo çështje penale ndodhet në proces hetimor, andaj në këtë fazë nuk mund të japim informata të detajuara, deri në një fazë tjetër”, deklaroi ajo.
Theksojmë se Gjykata e Apelit, në muajin dhjetor e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Naim Murseli, avokatit Ahmet Ahmeti, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 3 dhjetorit 2023, me të cilin Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimin për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj.