Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se është i shqetësuar për situatën e krijuar në veri të vendit.
Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kryesisë, ai pohoi se situata është më e rëndë, duke shtuar se përgjegjës është vet kryeministri Albin Kurti.
Prandaj sipas tij, ai duhet të largohet nga qeverisje ngase po paraqet rrezik për vendin. Haradinja, tha se zgjidhja e vetme për këtë është nisja e mocionit të mos besimit për Qeverinë Kurti, ngase ai ka shkuar në ekstrem.
Sipas tij, kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunoj me ShBA, ka nxitur një konflikt në veri që i konvenon Serbisë dhe Rusisë.
“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për Kryeministrin Kurti. Mocioni bazohet në dy zhvillimet e fundit, i pari është rrezikimi i sovranitet dhe i sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me ShBA dhe BE. Do të fillojmë diskutimet me spektrin politik me shoqërinë në përgjithësi. Besoj që mocioni është zgjidhje për këtë situata të krijuar. Kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunoj me ShBA, ka bërë një plan të vetin, nuk ka bashkëpunuar me Amerikën po ka nxit një konflikt në veri që i konvenon Serbisë dhe Rusisë”.
“Ajo që e bënë këtë situatë shumë të keqe është pafytyrësia e Kurtit që në emër të Kosovës t’i drejtohet përmes mediave sekretarit amerikan. Kurti ka shkuar në ekstrem me garantin tonë të sigurisë. Jemi falënderues Policisë së Kosovës. Kemi filluar komunikimin e ndërsjellët me grupet parlamentare. Nuk besoj që është çështje pozitë opozitë”, tha ai.