Pas disa muajsh bojkot, Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare.
Nga kjo parti në një përgjigje për Telegrafin kanë thënë se këtë do ta bëjnë pasi marrëveshjet janë në shërbim të së mirës publike.
“Deputetët e Aleancës duke pasur parasysh që ato marrëveshje ndërkombëtare janë në shërbim të së mirës publike, do t’i japin mbështetje për shkak që është bërë një kohë e gjatë që janë bllokuar”, kanë thënë nga AAK-ja.
Tutje thuhet se “qëndrimi ynë politik për të mos i votuar marrëveshjet ndërkombëtare në të kaluarën ka qenë për t’i treguar pozitës se sa e rëndësishme është opozita”.
“Dhe sa i rëndësishëm është debati parlamentar e ndërtimi i konsensusit për çështje të brendshme dhe jo për të dëmtuar të mirën publike”.
Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës tash e disa muaj kanë bojkotuar votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për shkak të siç kanë thënë, situatës së rëndë politike në vend.
Madje, nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se këtë do ta bëjnë derisa ta arrijnë qëllimin – vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.