Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria Kurti që ta shfuqizojë vendimin për rritje të tatimit në pronë.
Sipas këtij subjekti politik, “vendimi i Ministrisë së Financave për rritjen e tatimit në pronë, ka goditur direkt xhepin e qytetarëve, në këtë kohë kur çmimet për secilin produkt janë dyfishuar”.
AAK-ja thotë se “më mungesë të veprimeve serioze në shërbim të rritjes së mirëqenies socio-ekonomike, qeveria paska vendosur që përmes kuvendeve komunale të vazhdojë me mashtrim, me propozimin për faljen e tatimit në pronë për 100 euro”.
Për AAK-në, “kjo nismë është anti-ligjore, sepse Ligji për Tatimin në Pronë është i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe vetëm Kuvendi ka të drejtë ta ndryshojë ose të falë borxhet e tatimit në pronë”.
“Kjo qasje mashtruese duhet të ndalet! Të shfuqizohet aplikimi i rivlerësimit të fundit dhe faturat për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022”, thuhet në reagimin e AAK-së.