Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se fillimi i një draftimi të një Asociacioni bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese është i nevojshëm.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Abazi ka thënë se nisja e një draftimi të tillë do të shërbente në largimin e tendecave të Serbisë e cila vazhdon të mbështetet në marrëveshjen e nënshkruar dikur por që sipas Gjykatës Kushtetuese, e njëjta bie ndesh me nenet.
“Fillimi i një draftimi të statutit të një Asociacioni në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është i domodsoshëm për ta hequr krejt këtë idenë se Serbia duke u thirrur mbi atë marrëveshje të nënshkruar atëherë, ngrit barrikada, krijon tensione sa herë që i teket ta sabotojë procesin. Unë mendoj që këtu është racionaliteti brenda të cilit dhe kërkesa amerikane por edhe e disa shteteve evropiane siç është Franca dhe Gjermania qëndron mbi faktin që tanimë, është koha që të fillohet draftimi i këtij statuti në bazë të ligjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Abazi.
Sipas deputetit Abazi, pjesën kryesore të kompromisit e ka Opozita.
“Mendoj se pjesën kryesore të kompromisit në këtë moment duhet t’a bëjë vet opozita sepse është gjeneratori i produktit final të marrëveshjes që ka përfshirë Asociacionin”, ka deklaruar ai.
Krahas kësaj, gjersa është pajtuar me analistin Astrit Gashi, Abazi ka thënë se një asociacion me kompetenca ekzekutive një etnike fillon bazën e formimit të një “Republika Srpska” dhe një gjë e tillë duhet përjashtuar me çdo kusht.
“Nëse është nënshkruar në kohën e Opozitës kur kanë qenë pozitë si koalicion, Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim. Unë mendoj që pika e kompromisit ndërmjet pikës së skajshme të mosformimit të një Asociacioni një etnik me kompetenca ekzekutive çfarë ka qenë qëndrimi i LVV-së e që unë mendoj që ka qenë i drejtë”.
“Jo për faktin se vjen nga LVV-ja por edhe ajo që e tha Astriti sot e konfirmon, që një asociacion me kompetenca ekzekutive një etnike fillon fazën e formimit të një “Republika Srpska” përbrenda dhe kjo duhet përjashtuar me çdo kusht edhe për faktin e stabilitetit dhe zhvillimit në Kosovë por edhe për faktin e moskrijimit të këtyre krijesave që shkaktojnë në mënyrë zingjirore kriza e probleme të vazhdueshme që nuk i do as BE-ja e as të tjerët”, ka deklaruar Abazi.