Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka dalë i vetëm në Kuvend në konferencë për media për, siç tha, t’i ndihmuar jetës parlamentare në vend.
Ai tha se pas një javë qëndrim në Bruksel është moment kritik për Kosovën për marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Jemi në një moment kritik të alarmit me marrëdhëniet ndërkombëtare, e patë edhe dje ne Komunitetin Politik në Pragë. Janë dy çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, agresioni në Ukrainë dhe çështja e gazit, që na prekin edhe neve. Ky alarm duhet të merret seriozisht nga institucionet tona”.
“Nga një javë qëndrimi në Bruksel, mund t’ju them se ka ardhur momenti kritik, është absolutisht kritik që dialogu të ndahet nga proceset integruese. Përkundër marrëveshjes Rusi-Serbi, prapë se prapë ka mirëkuptim për Serbinë nga disa qarqe të Bashkimit Europian dhe ky është problem në vete. Lajçak ka vazhduar ta mbajë agjendën tonë integruese peng të dialogut dhe në këtë kuptim Serbia ka vazhduar ta përdorë dialogun si formë të shantazhit. Liberalizimi i vizave, anëtarësimi në Këshillit të Europës s’mund të jetë peng i dialogut”.