Haki Abazi, deputeti i Vetëvendosjes, tha se kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ka bërë sot shkelje të rëndë procedurale të Rregullore së Kuvendit, sepse ka lexuar një vendim të paqenë të grupit parlamentar për zëvendësimin e anëtarëve të komisioneve parlamentare.
Ai tha se nëse ai e publikon një vendim të tillë, ai do t’i kërkojë falje Konjufcës.
“Leximi i tij me ç’rast i thërret deputetët për të votuar, nuk ekziston, sepse nuk ka vendim të grupit parlamentar. Tani shtrohet pyetja: kush ka marrë vendim?” – tha Abazi në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
I pyetur nëse është i bindur që grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të votonte shkarkimin e tij nga Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ai tha se ky mund të jetë supozim.
Abazi tregoi se mendon që është dashur të krijohet debat, që të shihet puna e tij si kryetar i këtij Komisioni.
“Shkarkimi do duhej të bëhej në një raport. Cilat janë shkeljet, mospuna, mosangazhimi, sabotimi i punës së Komisionit? Pyetni anëtarët e komisionit, pozitë dhe opozitë për punën dhe angazhimin e kryetarit të Komisionit” – u shpreh ai.
Deputeti tha se vendimi mund të jetë edhe politik por duhet të aprovohet nëse kryetari i Parlamentit thirret në një vendim të paqenë.
Sipas tij kjo i bie që grupi parlamentar është jofunksional.
Sot në Kuvend, Haki Abazi u zëvendësua me deputeten Arbëreshë Kryeziu në pozitën e kryetarit të Komisonit për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Ndërsa, në Komisionin për Stabilizim-Asociim, ai u zëvendësua me deputetin Dimal Basha.
LVV bëri edhe zëvendësime të deputetëve të tjerë nëpër disa komisione, me 53 vota për dhe 9 abstenime.
Megjithatë, Abazi shtoi se nuk do të largohet nga ky grup parlamentar deri në fund të mandatit dhe nuk ka votë kundër Qeverisë Kurti.
Zëvendësimet e tjera, sipas Abazit janë bërë për të kamufluar kinse po bëhen edhe lëvizje të tjera. Ai tha se deputetët e LVV-së janë kërcënuar e janë thirrur për të votuar këtë vendim, nga Mimoza Kusari – Lila dhe Dejona Mihali.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, përmes një konference për media sot ka bërë të ditur se është dhënë urdhër për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme.
Sipas tij, kryeministri Kurti është në kërkim të personave që duan ta rrëzojnë qeverinë.
“Jam këtu për të konfirmuar se është dhënë urdhër për shkarkimin nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme. Mendoj që çështja kryesore është që Kurti mendon që unë do të hidhërohem shumë dhe do të bëhem pjesë të atyre të cilët duan ta rrëzojnë nga Qeveria. Pas dy vjetësh Kurti është në kërkim të personave që duan ta rrezojnë Qeverinë”- është shprehur Abazi.
Abazi theksoi se opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë dhe se aktualisht nuk ka një Grenell apo dikush tjetër që ka interes ë rrezojë qeverinë.