Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haki Abazi, duke komentuar deklaratat e fundit të emisarit për Misione të Posaçme nën administratën Trump, Richard Grenell, ka thënë se thelbi i problemit janë marrëdhëniet që Qeveria e Kosovës ka pasur me administratën Biden gjatë katër vjetëve.
Abazi sa ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje e pati kritikuar ashpër Grenellin. Por ka thënë se ajo i përket së kaluarës sepse, sipas tij, kanë qenë rrethana të tjera. Të hënën (dje), Grenelli e kritikoi ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ndërkombëtarët janë të bashkuar kundër tij.
“Jam takuar me Grenellin para dy javësh në SHBA. Unë kam qenë kundër tij kur ai ishte ambasador në Gjermani dhe më pas përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor. Qëndrimi i tij atëherë ishte që të diskutohej ndarja e Kosovës dhe unë jam dhe do të jem gjithmonë kundër kësaj ideje”, deklaroi Abazi në KTV të martën.
Duke komentuar deklaratat e fundit të Grenellit, Abazi u shpreh se nuk mund ta kritikojë, pasi sipas tij, ai (Grenelli) po vepron si përfaqësues i presidentit Donald Trump.
Sipas Abazit, çështja kryesore nuk është se çfarë ka thënë Grenelli tani, por se çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet mes Kosovës dhe administratës Biden gjatë katër vjetëve të fundit.
“Problemi nuk është çka ka thënë tani Grenelli, por çka ndodhi për katër vjet me administratën Biden? Marrëdhënia e Qeverisë me atë administratë ka qenë nën zero. Kemi pasur fyerje për Antony Blinken, letra kundër Gabriel Escobarit dhe qëndrime kontraverse për James O’Brien mbi premtimet për Kosovën”, ka theksuar Abazi, duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka treguar pakujdesi ndaj një administrate që historikisht ka qenë e angazhuar për shtetësinë e Kosovës.
Sipas tij, Joe Biden ka qenë i përkushtuar ndaj çështjes së Kosovës gjatë gjithë karrierës politike, dhe prishja e marrëdhënieve me administratën e tij ka sjellë pasoja të mëdha për vendin