Abbott: Cameroni dëgjoi dëshmitë prekëse të anëtarëve të familjeve të të zhdukurve

Abbott: Cameroni dëgjoi dëshmitë prekëse të anëtarëve të familjeve të të zhdukurve

Ambasadori në largim i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka komentuar vizitën e ministrit të Jashtëm britanik në Prishtinë, Lordit David Cameron.

Në një postim në Facebook, Abbott tha se kjo vizitë shërbeu për të rikonfirmuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për sovranitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës.

Ai tha se pjesa më e madhe e mbulimit të vizitës është fokusuar në takimet e rëndësishme që janë zhvilluar me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe Ministren e Jashtme Gërvalla, si dhe në kohën që Sekretari i Jashtëm kaloi me trupat e Britanisë së Madhe të dislokuara në KFOR.

Por, Abbott thotë se një ngjarje e vizitës së Cameronit në Kosovë ishte e veçantë.

“Isha veçanërisht i kënaqur që Lordi Cameron ishte gjithashtu në gjendje të dëgjonte dëshmitë prekëse të anëtarëve të familjeve të të zhdukurve, si dhe takimin me një të mbijetuar të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin. Ai dëgjoi nga dora e parë për rëndësinë e mbështetjes së qëndrueshme për të mbijetuarit dhe trajtimin e stigmës, si dhe nevojën urgjente për të zhbllokuar bashkëpunimin rajonal për personat e zhdukur për t’u siguruar familjeve të të zhdukurve përfundim dhe llogaridhënie”, deklaroi Abbott, raporton Klankosova.tv.

Cameron ishte po ashtu në vizitë edhe në Manastirin e Graçanicës, ku Abbott thotë se Cameron pati mundësinë të diskutojë rëndësinë e mbrojtjes së rolit fetar të Kishës Ortodokse Serbe për komunitetin serb në Kosovë, si dhe rolin jetik të autoriteteve fetare në nxitjen e stabilitetit në të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Të gjitha këto takime nënvizuan pse, në një kohë kaq të vështirë globalisht, ne duhet të parandalojmë rikthimin e konfliktit në rajon. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur arritjet e arritura përmes paqes dhe dialogut. Siç e bëri të qartë Lordi Cameron në takimet e tij, nuk ka asnjë alternativë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura përveçse përmes dialogut dhe zbatimit të plotë të marrëveshjeve të mëparshme”, potencoi ambasadori Abbott.

Cameron gjatë ditës së djeshme qëndroi në Kosovë, ku përpos takimeve me krerët shtetërorë, zhvilloi një takim edhe me ushtarët britanikë në KFOR.

“Jam këtu në Kampin Film City në Prishtinë, Kosovë, për të falënderuar trupat britanike që janë pjesë e forcave të NATO-s këtu që bëjnë një punë shumë jetike. Por më gjerësisht, erdha në Kosovë sepse është një vend i pavarur dhe sovran, të cilin Britania e ndihmoi të shpëtojë kur iu desh më së shumti, dhe meriton stabilitet, siguri dhe prosperitet, dhe duam ta ndihmojmë në të gjitha këto agjenda. Dhe kjo është në interes të Kosovës, por edhe në interes të Britanisë. Ka vende tjera, forca tjera, që dëshirojnë ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, që duan t’u shkaktojnë probleme atyre vendeve. Dhe e pamë këtë me sulmin e tmerrshëm që ndodhi këtu në shtatorin e vitit të kaluar. Prandaj mendoj se është e rëndësishme të punojmë me qeverinë e Kosovës, të ndihmojmë ata të rrisin ekonominë e tyre, t’i ndihmojmë ata të ofrojnë stabilitet dhe siguri për vendin e tyre dhe të sigurohemi se forcat si këto që janë prapa meje, janë të afta dhe të gatshme të ndërmarrin veprime dhe të mbrojnë këtë vend, nëse është e nevojshme”, deklaroi Cameron nga kampi ku janë të vendosur trupat britanike në kuadër të KFOR-it. 

Related Articles