Abbott: I shqetësuar se një numër i policëve serbë të Kosovës, të saporekrutuar, kanë dhënë dorëheqje

Abbott: I shqetësuar se një numër i policëve serbë të Kosovës, të saporekrutuar, kanë dhënë dorëheqje

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se ndan shqetësimin për dorëheqjet e policëve serbë nga Policia e Kosovës.

Ai thotë se është në interes të vetë komunitetit shërbimi i këtyre zyrtarëve, derisa thotë se ata duhet ta bëjnë punën e tyre pa frikësime të brendshme apo të jashtme.

“Unë ndaj shqetësimin se një numër i policëve serbë të Kosovës të saporekrutuar kanë dhënë dorëheqje. Është në interes të komunitetit që policia serbe e Kosovës të vazhdojë të punojë në veri të Kosovës dhe ta bëjë këtë pa frikësime të brendshme apo të jashtme. Është jetike që Policia e Kosovës të përfaqësojë komunitetet aty ku kryen detyrën dhe i mirëpres përpjekjet e qeverisë që ta bëjë të mundur këtë”, ka shkruar ai.

Për këtë çështje, pak më herët ka folur presidentja Vjosa Osmani, e cila ka thënë se deri më tani, në bazë të informatave të fundit nga organet e sigurisë që ajo ka, kanë dhënë dorëheqje shtatë zyrtarë serbë të Policisë së Kosovës.

Ajo tha se autori i këtyre dorëheqjeve është Beogradi dhe ka kërkuar nga ndërmjetësit ndërkombëtarë që kur të dënojnë aktin të dënojnë edhe autorin.

“Sipas hetimeve të institucioneve tona përgjatë këtyre javëve, janë informata të konfirmuara, frikësimi dhe shantazhimi i tyre vjen nga Serbia, pra burimin e kanë në Serbi. Ky shtet, që fatkeqësisht, vazhdon me agresion të hapur në raport me Kosovën po vazhdon nëpërmjet institucioneve ilegale dhe kriminale në Kosovë t’u bëjë presion qytetarëve serbë që janë pro-integrimit, shfrytëzimit të të drejtave që u ofron dhe Kushtetuta dhe Marrëveshjet e Brukselit. Veprime të tilla janë shkelje flagrante e marrëveshjeve të Brukselit, që kanë paraparë që një numër i policëve të jetë prej komunitetit varësisht prej kompozicionit etnik pres nga BE-ja të marrë masa ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për shkeljen e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Presioni ndaj policëve serbë vjen nga Serbia dhe strukturat e saj, prandaj presim që dënimi i këtyre akteve të jetë me dënimin e autorëve, autori është në Beograd”.

Related Articles