Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me një video të shkurtër në rrjetin social “Facebook”, ka reaguar ndaj intervistimit prej disa orësh të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt.
Abdixhiku ka thënë se Berishaj para Komisionit Heitmor kishte fshehur gjithë pasurinë e vet.
“Njeriu që ka marrë të gjithë mbrojtjen e të gjithë Qeverisë po intervistohet sot nga ora 8 e mëngjesit në Prokurori Speciale. Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ishte ndërmjetësues në blerjen e energjisë, për këtë kishte marr plot 1.5 milion euro para këtu në Prishtinë”, ka thënë Abdixhiku në këtë video të shkurtër.
“Para Komisionit Hetimor në Parlament që kishim bërë ne, kishte fshehur edhe të gjithë pasurinë. Për të gjitha këto vepra kishte marr mbështetjen blanko të Qeverisë”, ka shtuar kryetari i LDK-së.
“Dhe teksa flasim për mafinë energjetike, sot, jo më larg se një ditë pas diskutimit në Kuvend, Korporata Energjetike ka shtuar edhe dy tenderë sekret. Sot janë nënshkruar 2 tenderë sekret, në vlerë prej gjysmë milioni euro.Partia në pushtet bëri një arsyetim. Nxori një poster nga numrat e të kaluarës, kështu po na thotë hajna ata, hajna edhe ne. Por hajnat janë të njëjtë. Keqpërdorimi i parasë publike ka një përfundim. Përgjegjësi të plotë para ligjit. Për këtë do të jemi pakompromis”, ka thënë në fund të videos kryetari i LDK-së.