Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një tubim zgjedhor në Deçan në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit, ku prezantoi kandidatin për kryetar komune, Jeton Mushkolajn.
Abdixhiku tha se Deçani do të ketë qeverisjen që meriton, duke theksuar përkushtimin e LDK-së për zhvillim, transparencë dhe ndershmëri.
“Sonte, Deçani ngrihet sonte, Deçani e shpall vendimin e tij për të ardhmen. Dhe ky vendim është i qartë: Deçani është me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Deçani është me vizionin tonë. Deçani është me kandidatin tonë, me Jeton Mushkolajn. Ky tubim nuk është vetëm një mbledhje elektorale. Ky është fillimi i një fitoreje të madhe. Ky është momenti kur qyteti ynë i dashur, i lënë për shumë vite jashtë drejtimit të LDK-së, ngrihet për t’u bashkuar me valën e madhe të ndryshimit që po vjen. Dhe kjo valë nis këtu, sonte, nga ju – nga zemra e Deçanit. Jeton Mushkolaj është shpresa e re e Deçanit. Është fytyra e ndershmërisë, e përkushtimit dhe e punës. Është njeriu që nuk është larg qytetarëve, por gjithmonë mes tyre – në lagjet e qytetit, në fshatrat e komunës, në shtëpitë dhe tregjet e Deçanit. Ai e njeh çdo problem, sepse i ka jetuar bashkë me qytetarët. Ai nuk flet me slogane boshe, por me vizion të qartë. Jeton Mushkolaj është kandidati i Lidhjes Demokratike. Dhe Lidhja Demokratike është partia e ndërtimit, e seriozitetit, e stabilitetit. Me Jeton Mushkolajn, Deçani do të ketë kryetarin që merr përgjegjësi. Kryetarin që nuk ikën nga problemet, por i përballon ato. Kryetarin që nuk fsheh sfidat, por sjell zgjidhje. Kryetarin që nuk e sheh pushtetin si privilegj, por si shërbim. Ky është dallimi ynë. Ky është dallimi i LDK-së”, deklaroi para qytetarëve Abdixhiku.
Ai premtoi investime në turizëm, infrastrukturë moderne dhe përmirësim të shërbimeve publike.
“Por Jetoni nuk është vetëm. Përkrah tij është një ekip i tërë njerëzish të ndershëm dhe punëtorë. Është lista e Lidhjes Demokratike për Asamblenë e Deçanit. Është ekipi ynë i përkushtuar, që bashkë me Jetonin do ta udhëheqë këtë komunë drejt zhvillimit. Ky ekip nuk është listë emrash, ky ekip është garanci për punë, për vizion, për të ardhmen. Këta gra e burra të ndershëm janë zëri i qytetarëve në Asamble. Ata janë ura mes njerëzve dhe qeverisjes. Ata janë garancia se vendimet do të merren me përgjegjësi dhe me transparencë. Për këtë arsye, sonte, unë u bëj thirrje të gjithëve: mbështetni kandidatin tonë për kryetar, por mbështetni edhe listën e Lidhjes Demokratike për Asamblenë e Deçanit. Sepse vetëm bashkë, kryetari dhe Asambleja, e sjellin ndryshimin. Vetëm bashkë, ekipi i LDK-së, e bën fitoren të plotë. Me këtë ekip, Deçani do të ketë qeverisjen që meriton”, shtoi ai.
Deçani do të ketë qeverisjen që meriton,” u shpreh Abdixhiku, duke i bërë thirrje qytetarëve që të mbështesin si kandidatin Mushkolaj, ashtu edhe listën për Asamblenë Komunale.
“Programi ynë për Deçanin është i qartë. Është program i punës dhe i zhvillimit. Është program i guximit dhe i vizionit. Deçani do të bëhet qendër e turizmit malor. Me bukuritë e falura nga Zoti, me natyrën e saj të pasur, kjo komunë ka potencialin për të qenë vend i vizitorëve nga mbarë bota. Me LDK-në, ky potencial nuk mbetet më në letër. Do të ketë investime në infrastrukturë, në rrugë që çojnë në bjeshkë, në qendra për vizitorë, në marketing që e bën Deçanin emër të njohur turistik në Europë. Deçani do të ketë infrastrukturë moderne. Lagjet dhe fshatrat nuk do të mbeten më të harruara. Rrugët do të rregullohen me standarde bashkëkohore. Ujësjellësi do të jetë funksional. Kanalizimet do të jenë të sigurta. Ndriçimi publik do të garantojë siguri për çdo qytetar”, shtoi ai.