Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë fjalimit të tij në Kuvend, ka thënë se programi i Qeverisë Kurti është një ndër dokumentet më sipërfaqësore e më jopërmbajtësore.
Abdixhiku ka thënë se dokumenti 60 faqesh i Qeverisë nuk ka as argument e as ide të fjalës.
“Ky dokument 60 faqesh i përgatitur për 60 ditë, nuk ka as argument e as ide të fjalës. Për befasinë time e tonën, është një ndër dokumentet më sipërfaqësore e më jopërmbajtësore që kam lexuar ndonjëherë”, ka thënë Abdixhiku.
Tutje, i pari i LDK-së ka kritikuar programin për mosprecizitet kohor të zbatimit.
“Shëndetësinë e përmendni me 344 fjalë në një fletë. Asnjë fjalë për spitalet që do t’i ndërtoni, investimet në pajisjet e reja. As datë as numër as masë, për katër vjet plan e program. Po aq e thatë sikurse shëndetësia mbetet edhe pjesa ekonomike e programit. Sa do të ulet papunësia, sa do të ketë rritje ekonomike, ky program nuk arrin të tregojë”, ka thënë ai.