Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë nderuar figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugovës në manifestimin “Takimet e Dom Mikelit” të shtunën. Ky manifestim mbahet në Stubëll të Vitisë, ndërsa edicioni i sivjetmë i është dedikuar Rugovës.
Në një status në Facebook, Abdixhiku ka thënë se manifestimi “Takimet e Don Mikelit” ka afirmuar vlerat pozitive të historisë së Kosovës e nderimi që po i bëjnë Rugovës, sipas tij, e dëshmon këtë.
“Këtë mëngjes isha në Stubëll. Aty morra pjesë në manifestimin tashmë tradicional ‘Takimet e Dom Mikelit’. Mes personaliteve të shquara vendore, shqiptare e ndërkombëtare, u nderua figura e Presidentit Rugova në 80 vjetorin e lindjes së tij. Stublla shquhet për një traditë të begatshme në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore e të arsimit shqip, fillimet e së cilit, siç thonë historianët, janë të para vitit 1905-s, kur u legalizua Shkolla e Parë Shqipe me mësues, priftin e patriotin, Dom Mikel Tarabulluzin. Për mua dhe LDK-në, Stublla me shkollën e saj, me Muzeun e Shkollës së parë, me historinë e Martirëve të Karadakut të shekullit XIX, me këtë manifestim kaq të bukur, me një mërgatë të shkëlqyeshme dhe me vlera tjera që ngërthen, përbën një vlerë specifike për tërë Kosovën tonë. Prandaj ishim të nderuar, që këtë vit, ky manifestim, shënohej rreth Ibrahim Rugovës. Ibrahim Rugova, para se të ishte politikan i madh, ishte intelektual i madh, njeri i artit e letërsisë, që besonte te kultura, tradita e vlerat e demokracisë perëndimore, dhe për të, kultura ishte arma më fuqishme për t’ia ndalë hovin së keqes. Një mision të tillë, në një formë tjetër, e kanë luajtur edhe “Takimet e Dom Mikelit”, duke afirmuar vlerat pozitive të historisë sonë e duke dhënë shembuj të mirë për breznitë e reja, siç ishte dita e stome, nderimi që po i bëjmë Ibrahim Rugovës, themeluesit të Lidhjes Demokrstike të Kosovës, dhe kontributit të tij për Kosovën tonë”, ka shkruar kryetari i LDK-së.
Haradinaj e ka konsideruar Stubllën si “djep të arsimit shqip në Kosovë”, ndërsa ka theksuar edhe vizionin e Rugovës për lidhje me Perëndimin.
“Sot në Stubëll të Vitisë, në djepin e arsimit shqip në Kosovë, në manifestimin tradicional “Takimet e Dom Mikelit”, i cili organizohet për 35 vjet me radhë në kujtim të klerikut dhe mësuesit shqiptar, Dom Mikel Tarabulluzit. Në edicionin e sivjetmë, i cili i dedikohet presidentit Ibrahim Rugova, theksova vizionin e tij për Kosovën, që me drejtësinë dhe vendosmërinë e palëkundur, ndërtoi një lidhje të ngushtë me Perëndimin, veçmas duke shfaqur kujdesin në forcimin e miqësisë së përjetshme me ShBA”, ka shkruar kryetari i AAK-së.