Abdixhiku e Hoxhaj reagojnë pas vdekjes së gazetarit Zijadin Gashi

Abdixhiku e Hoxhaj reagojnë pas vdekjes së gazetarit Zijadin Gashi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka dërhguar telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të gazetarit, Zijadin Gashi.

Në telegram, ai ka thënë se e ka marrë me pikëllim të thellë lajmin për vdekjen e Zijadin Gashit.

“Zijadini dha një kontribut të jashtëzakonshëm për gazetarinë kosovare, veçanërisht gjatë periudhave të vështira kur fjala e lirë dhe guximi ishin më të domosdoshme se kurrë. Puna dhe angazhimi i palodhshëm dhe i pandalshëm, janë dëshmi e trashëgimisë së tij të vyer profesionale dhe njerëzore”.

“Në këto çaste të rënda, në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe timin personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik. Kujtimi për të dhe vepra e tij do të mbesin gjithmonë shembull i jashtëzakonshëm i përkushtimit dhe guximit të tij si gazetar e si veprimtar i vendit tonë. I lehtë të qoftë dheu i Kosovës, Zijadin Gashi!”, ka thënë Abdixhiku.

Edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka shprehur ngushëllime familjes për vdekjen e gazetarit të njohur, Zijadin Gashi.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Hoxhaj kujton se si Gashi ishte një profesionist i palodhshëm që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në gazetarinë kosovare.

“Me dhimbje mora lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit të shquar Zijadin Gashi, një profesionist i palodhshëm që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në gazetarinë kosovare, veçanërisht gjatë periudhave më të vështira të historisë sonë. Puna dhe përkushtimi i tij mbeten një shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm të gazetarëve. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit të gazetarëve. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, ka shkruar Hoxhaj. /Gazeta Enigma/

Related Articles