Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Abdixhiku vlerëson se festa e Fitër Bajramit i kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që besojnë në Krijuesin, me ç’rast ka uruar shëndet, paqe e begati për të gjithë qytetarët.
“Me fat Fitër Bajrami të dashur besimtarë. Lutje dhe agjërim të pranuar për të gjithë ata që kaluan një muaj sakrifice sprovuese nën shenjën e Zotit. Festa e Fitër Bajramit i kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që besojnë në Krijuesin; që kanë përshkuar udhëtimin shpirtëror njëmujor, e që ia kanë dalë mbanë të jenë bërë më të virtytshëm, më të mëshirshëm dhe më zemërgjerë”.
“Le të vazhdojmë të forcojmë edhe më tej këtë ndjenjë që muaji i shenjtë dhe festa e Fitër Bajramit na mësojnë. Atë të solidaritetit, të harmonisë e të kujdesit ndaj tjetrit. Në veçanti, le të kujdesemi ndaj atyre në nevojë. Shëndet, paqe e begati për ju e familjet tuaja; për gjithë atdheun tonë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.