LDK bashkë me kryetarin Lumir Abdixhiku sot kanë pritur në takim ish-gjeneralin e NATO-s që udhëhoqi fushatën e bombardimeve të caqeve serbe më 1999, Wesley Clark.
Clark u dekorua me Dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës.
Në fjalën e tij, Abdixhiku tha se Clarkut do i jenë falënderues të gjithë, përjetë, për ndihmën që i dha Kosovës.
I pari i LDK-së i kërkoi ndihmë ish-gjeneralit, për të forcuar marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë.
“Vizita jotë këtu është një testament miqësie e solidariteti që ti ke përfaqësuar. Gjeneral, emri yt është i thelluar në historinë e Kosovës, si një simbol i guximit, lidershipit dhe paqes. Ke drejtuar në kohët më të errëta të vendit tonë, ku me vendimet e tua dhe shpresë dhe fuqi të një vend që dëshironte lirinë. Lidershipi yt ishte një pikë kthyese e një vendi për liri, por edhe për jetët e shumë njerëzve tanë. Për këtë, Gjeneral, ti do të mbahesh mend gjithmonë, për këtë do të të falënderojmë përgjithmonë. E gjithë Kosova ka shkuar përpara nga ndihma jote dhe e miqve tuaj. Këtu të bëjë thirrje përsëri që të na ndihmoni, të na forconi marrëdhëniet tona me SHBA-në”, tha Abdixhiku. /Gazeta Enigma