Abdixhiku i reagon Kurtit: Jam i bindur se parimet nuk i kupton, fjalën e dhënë edhe më pak

Abdixhiku i reagon Kurtit: Jam i bindur se parimet nuk i kupton, fjalën e dhënë edhe më pak

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, të cilit përmes një postimi në rrjete sociale, i thotë se nuk mund ta kuptojë madhështinë e LDK-së, raporton Gazeta “Enigma”.

Pos tjerash, Abdixhiku thotë se Kurti nuk mund ta kuptojë as dinjitetin në politikë, të cilit ia radhiti me rend “të bëmat” e tij. Ky reagim i të parit të LDK-së vjen pasi Kurti, gjatë ditës së sotme, në një konferencë për media tha se nuk e kupton aspak këtë parti.

“Se kupton as dinjitetin në politikë, as madhështinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës; e as faktin se ka ardhur një gjeneratë e re në vend ku fjala e dhënë ka peshë. Dhe s’ka pozitë, s’ka pushtet e s’ka ofertë që mund të shkelë mbi këtë vlerë. Prandaj çuditet! Prandaj s’kupton”, ka shkruar tutje ai.

“Jam i bindur se parimet nuk i kupton. Fjalën e dhënë edhe më pak. Një njeri që për tetë muaj bllokon shtetin duke thënë se i ka votat por s’po e lenë, dhe në fund mashtron; një njeri që për 48 herë e shkelë Kushtetutën dhe mburret se çfarë po bën; një njeri që uzurpon institucionet duke qenë herë kryeministër e herë deputet; një njeri që s’respekton Gjykatat e Republikës siç respektohen ato në shtetin ku ai rritë familjen e vet; nje njeri që vendoset mbi prokurorinë e mbron të korruptuarit partiak veç se janë të tijë; një njeri që vetëm ofendon e vetëm përçanë kudo që prekë; një njeri që akuzon kundërshtarët politik, shtëpinë e madhe të demokracisë me tradhëtarë të Serbisë veç pse mendojnë ndryshe nga ai; një njeri që na ofendon eletoratin me ‘hajvanat’ dhe pret shtrirje qafe më pas; një njeri që na izolon Republikën e vet, e na e humbet te ardhmen e fëmijëve në këtë shtet; një njeri që nuk e kupton bashkëpunimin, unitetin, e afrimin si akt patriotik sot; një njeri që ndryshon pa merzi secilin premtim publik;”, ka shkruar ai

Tutje Abdixhiku ka shkruar se “një njeri i tillë, natyrisht se nuk e kupton se çka do të thotë parimi i drejtë në jetë. Prandaj çuditet! Prandaj s’kupton. Kur pushtetarët e shkëputur nga populli i afrohen fundit, gjërat më nuk u japin sens. LDK-në mund ta sulmoni. Mund dhe ta ofendoni – por vetëm kaq keni mundësi. Nuk ju vie rendi për  më shumë. LDK po ecën drejtë. Në rrugën e vet. Për vete dhe për Republikën që e krijoj vet”.

“Zot politik, kjo LDK, ka vetëm elektoratin e vet dhe koha e LDK-së nuk ndërtohet në prehërin e askujt. LDK ka shtratin e vet; lumi i saj rrjedhë fort gjithëherë. Sepse ishim, jemi dhe do të mbesim të vërtetë. Krenar e faqebardhë dhe me besim të fortë në të ardhmen e popullit tonë. Gjërat vijnë e shkojnë; një gjë s’ndryshon kurrë. LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë! Dritë do të ketë!”, ka shkrua ai.

Related Articles