Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, para qytetarëve tha se Mitrovica është simbol i përpjekjes për bashkim e nevojës për rezistencë.
“Mitrovica është një kujtesë e përhershme e asaj që populli ynë mund të arrijë kur është i bashkuar, kur nuk ndahet, kur nuk përçahet!”, tha Abdixhiku.
Ai u shpreh se ky qytet ka qenë gjithmonë zemra e Kosovës.
“Mitrovica ka lindur dhe rritur njerëz të pashembullt, punëtorë, intelektualë, artistë dhe heronj që i dhanë Kosovës shpirt dhe jetë. Nga gurët e kombinatit të Trepçës që kanë ushqyer ekonominë e vendit për dekada, deri te rrugët dhe sheshet ku çdo anë frymon histori, Mitrovica është dhe do të mbetet simbol i forcës sonë kombëtare”, tha kreu i LDK-së.
“Dhe sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për atë frymë të Mitrovicës, për atë energji të pathyeshme që e bën këtë qytet kaq të veçantë. Prandaj nuk jam sot mes jush të ju ftoj në ndarje e përcarje. Të ju nxis në urrejtje ndaj tjetrit. Të ju ndajë në patriot e tradhëtarë, me mua apo me Serbinë!”, tha ai.
“Jemi pak për tu ndarë! Jemi pak për tu sharë! Jemi pak për të nxitur urrejtje ndaj tjetrit! Kemi kundërshtarë jashtë mjaftë!”, deklaroi i pari i LDK-së.