Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur teatër politik arrestimin e Dardan Molliqajt.
“E kam quajtur edhe teatër politik. Sepse, për ta bërë të qartë zëshëm, besoj që sulmi ndaj policisë nuk ka epilog tjetër përveç përgjigjes para organeve të rendit. Por, mënyra si mund të përgjigjen para organeve të rendit njerëzit me post politik, besoj që mund të bëhet ndryshe”, ka thënë Abdixhiku në RTV Dukagjini.
“Nuk besoj që komunikimi i duhur do të sillte një situatë të tillë. Por, nuk dua të arsyetoj fare dhunën e ushtruar ndaj policit, i cili njëtrajtësisht përballet me rritjen e çmimit të energjisë elektrike që është brenga e tij dhe secilit tjetër”, tha Abdixhiku.
Ai ka potencuar se ka ngritur zërin edhe kur arrestoheshin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Unë kam ngre zërin edhe shumë vite më parë kur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ngriheshin zhag nëpër sheshet e Prishtinës. Mendoj që qasja ndaj njerëzve publik duhet të jetë pak më dinjetoze. Nuk kemi nevojë për teatër, por kemi nevojë për rregulla normale institucionale që besoj se njerëzit në fjalë duhet t’i përgjigjeshin. Duhet bërë dallim mes veprës dhe mënyrës si i trajtojmë këto vepra. Asnjë sulm nuk do të lejohet ndaj uniformave të shtetit, të tolerohet e trajtohet ndryshe”, theksoi Abdixhiku./GazetaEnigma/