Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për bashkim të të gjithë institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike.
Sipas tij, të gjithë këta kanë një shtëpi të përbashkët – Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Abdixhiku theksoi se do të nisë një bashkim të madh politik dhe qytetar rreth një projekti të përbashkët, një projekt që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet personale dhe hidhërimet e së kaluarës.
Ai u shpreh se dramat e sotme, krizat e vazhdueshme dhe fajësimet politike po e lodhin Kosovën, prandaj vendit i duhet një rrëfim i ri – një rrëfim që bashkon, normalizon jetën politike, zhvillon shtetin dhe e ankoron Kosovën përgjithmonë në Perëndim.
