Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për të gjithë kandidatët e LDK-së, pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale.
Ai ka uruar për fitoren kandidatët që triumfuan në raundin e parë – Imriun, Ilirin dhe Ruzhdiun – duke thënë se “festojmë për ta të gjithë”, ndërsa ka inkurajuar edhe nëntë kandidatët që vazhdojnë garën në raundin e dytë.
“Deri më sot keni qenë kandidat vetëm të LDK-së, nga sot e tutje jeni kryetarë të të gjithëve, pa dallim. Silluni si të tillë”, ka shkruar Abdixhiku.
“Mos e merrni si humbje, meqë gara nuk është e tillë. Është përvojë, është themel për fitoret e ardhshme, është dëshmi se LDK ka njerëz të guximshëm që nuk dorëzohen kurrë. Politika është garë e gjatë, maratonë”.
Kreu i LDK-së ka theksuar se partia sot është më e bashkuar dhe më e fuqishme se kurrë më parë.
“Kokën lart të gjithë. Sepse LDK-ja sot është më e fortë, më e organizuar dhe më e lidhur me njerëzit se kurrë më parë. Ju jeni dëshmia e kësaj”.
Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë mbi 180 mijë vota për kuvendet komunale, duke dalë partia e parë në këto zgjedhje lokale.
“Rrugëtimi ynë vazhdon. Me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën besë dhe me të njëjtin qëllim. Ju faleminderit nga zemra për fushatën, për punën dhe për besimin”. / Gazeta Enigma.