Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi kompania e vëllait të Luan Dalipit, Shefit të Stafit të Kryeministrit në detyrë, ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë. Dalipi ekonfirmoi këtë dhe tha se vëllai i tij, Dritoni ka vendosur “ta provojë fatin”, në tregun e lirë energjetik.
Pas kësaj deklarate, Abdixhiku ka thënë se Kosovës i duhet një “SPAK”, e “le ta ‘provojnë fatin’ aty më pas”.
“Le ta provojnë fatin. Se në Kosovë, fatin nuk e provojnë më qytetarët — por familjarët e pushtetarëve. Edhe në subvencione, edhe në grante, edhe në shitblerje të megavatëve. Fat familjarëve. Kosovës ndërsa i duhet një ‘SPAK’. Le ta ‘provojnë fatin’ aty më pas. Do ta bëjmë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se sikurse Shqipëria, edhe Kosova do ta ndërtojë një SPAK (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri). Sipas tij, kështu për të gjitha aferat korruptive dhe veprimet joligjore do të përgjigjeshin përgjegjësit.
Dalipi ka thënë se vëllai i tij ka aplikuar ligjërisht, si qytetar i thjeshtë.
“Dritoni, afarist që 20+ vite, është qytetar i lirë dhe ka të drejtë të angazhohet në zhvillim biznesi, si çdo qytetar tjetër në këtë vend. Unë kam shërbyer me dinjitet dhe përkushtim në këtë Qeveri tash e katër vjet. Kjo nuk do të thotë që e gjithë familja ime ka hyrë në Qeveri. E as që duhet të paragjykohet për lidhje farefisnore me mua. Unë e inkurajoj Dritonin që të jetë sa më i suksesshëm në biznes, ashtu siç e bëj me secilin tjetër në sektor privat. (Lexoni biografinë e shkurtër timen në fund të këtij postimi për ta kuptuar më mirë pse e them këtë.) Dritoni dhe cilido qytetar tjetër ka të drejtë të aplikojë për një licencë në tregun e liberalizuar të energjisë. Pastaj është çështje e tregut – ofertë e kërkesë – për ata që kuptojnë pak nga ekonomia. Nëse është konkurrues, do të kontraktohet nga kompani private. Asgjë më shumë, e asgjë më pak”, ka shkruar ai ndër të tjera.