Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj audio-incizimit të sotëm të publikuar në media ku pretendohet se bëhet fjalë për shefen e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, në vitin 2022.
Në një tubim konstituiv të Forumit të Këshilltarëve Lokalë të LDK-së, ai u shpreh se LVV-ja hedh akuza në gjëra të tjera, sipas tij, për të fshehur bisedat me Radoiçiqin.
“Kur zihen në biseda telefonike me terroristë e kriminelë të veriut dhe atë në bashkërendim të votimit parlamentar për interesa të pensionit të veteranëve, ata fajësojnë luftën hibride”, deklaroi Abdixhiku.
Ishte sot kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili kur u pyet për audio-incizimin në fjalë tha se nuk e ka parë e dëgjuar, por vetëm se di që lufta hibride ndaj Qeverisë do të intensifikohet.
“Në këto momente nuk kam as si ta shoh e as si ta dëgjoj. Përshtypja ime është se tani do të intensifikohet lufta hibride kundër Republikës së Kosovës, në veçanti kundër Qeverisë tonë, kundër Grupit tonë Parlamentar, dhe kryetares së Grupit tonë Parlamentar, e kemi parë edhe në të kaluarën, dhe unë nuk pres shumë çka të re prej atyre të vjetërve të cilët natyrisht problemin më të madh e kanë që sikurse në këto tri vite e gjysmë që ka pasë sundim të ligjit, rend publik dhe integritet territorial nuk i gjeni asnjëherë në Kosovën e pasluftës”, ka thënë Kurti.