Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka publikuar qëndrimet e partisë që drejton një ditë pasi ka refuzuar darkën e ftuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me liderët e partive opozitare.
Abdixhiku ka thënë se zgjidhja për situatën ku gjendet Kosova është shumë e thjeshtë duke potencuar se fillimisht Kurti duhet të japë dorëheqje dhe më pas të shpërndahet Kuvendi i Kosovës.
Ai tutje ka thënë se pas më shumë se tri viteve popullizëm dhe pa ndonjë progres të dukshëm, pas polarizimit të skajshëm të shoqërisë dhe pas një propagande pa asnjë konsideratë njerëzore, Kurti ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës për ta shpëtuar vetveten nga dështimi i madh.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk bëhet pjesë e një instrumentalizimi të tillë dhe shton se fatkeqësisht Kurti e ka gjetur aleatin për një gjë të tillë, duke aluduar në kreun e PDK-së, Memli Kransiqin, i cili ishte i vetmi që i shkoi Kurtit në darkë.