Kryetari i Lidhjës Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si “kryeministër për propagandë”.
Abdixhiku ka thënë se ura mbi lumin Ibër duhet të hapet, por ajo s’është hapur për shkak të vlerësimeve të NATO-s dhe SHBA-së mbi sigurinë.
Abdixhiku ka thënë se hapja e urës pa ta nënkupton konfrontim me ta.
Ai ka thënë se pamjet “e një automjeti ushtarak me flamur amerikan përballë një veture të Policisë së Kosovës”, populli i Kosovës nuk do t’i pranojë e s’do t’i tolerojë”.
“Ura duhet të hapet! Nuk ka dhe nuk njoh pozicion tjetër politik shqiptar në Kosovë mbi këtë çështje tash e një çerek shekulli. Ura, megjithatë, nuk është hapur për shkak të vlerësimeve të NATO-s dhe të SHBA-ve mbi sigurinë. Nëse këto vlerësime ndryshojnë në ndërkohë, kushtet piqen, prezenca e tyre në Urë zhbëhet, e njëjta hapet. Prandaj, sa shpenzon kohë pushteti me atak ndaj faktorit shqiptar, të merret me bindjen e aleatëve tanë. Ky është patriotizëm sot. E nëse i keni bindur, hapeni! Në të kundërtën, hapja e urës pa ta, nënkupton konfrontim me ta. Imazh më të shëmtuar se një ushtar amerikan përballë një polici kosovar nuk ka. Automjeti ushtarak me flamur amerikan, përballë një veture të Policisë së Kosovës, është dhuratë për armiqtë tanë! Këto pamje populli i Kosovës as nuk do t’i pranojë e as nuk do t’i tolerojë. Një Kryeministër serioz do duhej t’i vlerësonte të gjitha këto. Shumë kohë para se të fusë shtetin në një rrugëtim. Por ne kemi Kryeministër për propagandë. Prandaj, mos shpenzoni kohë në këtë fushatë paralektorale të popullistëve!” – ka shkruar Abdixhiku në Facebook.